
Shkenca dhe inovacioni në shërbim të cilësisë së ushqimit dhe prodhimit të qëndrueshëm – Përfundon me sukses punimet Akademia e Shkencave të Ushqimit dhe Agrikulturës në UBT
10/07/2025Akademia Verore me titull: “Shkenca dhe inovacioni në shërbim të cilësisë së ushqimit dhe prodhimit të qëndrueshëm” u zhvillua më 8 dhe 9 korrik 2025, duke përfshirë ligjërata, prezantime dhe diskutime me profesorë universitarë dhe ekspertë të industrisë. Aktivitetet ofruan njohuri kohezive dhe të mirëstrukturuara për pjesëmarrësit në fushat e bujqësisë dhe teknologjisë ushqimore.
Akademia përfshiu dy ditë të plota aktivitetesh akademike, ku një ditë u mbajt në UBT Kampus në Lipjan dhe dita tjetër në UBT Prizren. Sipas agjendës, janë realizuar gjithsej 10 prezantime, të cilat kanë trajtuar tema të ndryshme me interes të lartë për këtë fushë.
Pjesëmarrësit në GLOBAL UBT Fest 2025 kanë përfituar përvoja të vlefshme praktike dhe teorike, duke përfshirë projektimin dhe zbatimin e praktikave të sigurta dhe të qëndrueshme nga perspektiva e shkencave të bujqësisë dhe teknologjisë ushqimore.
Kjo Akademi Verore ka shërbyer si një mundësi e shkëlqyer për të nxitur inovacionin, shkëmbimin e ideve dhe krijimin e rrjeteve profesionale mes studentëve dhe profesionistëve të fushës. Ajo ka kontribuar në mënyrë domethënëse në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të bujqësisë dhe ushqimit në Kosovë dhe më gjerë.
Përmes një qasjeje ndërdisiplinore, pjesëmarrësit janë angazhuar në diskutime të gjalla rreth sfidave aktuale si ndryshimet klimatike, sigurimi i cilësisë së ushqimit dhe përdorimi i teknologjive të reja në prodhim. Përfshirja aktive e studentëve në këto procese ka rritur kapacitetet e tyre për zgjidhje kreative dhe të qëndrueshme, duke i përgatitur ata më mirë për tregun e punës dhe sfidat e së ardhmes.