
Sektori publik dhe privat bashkë në UBT për politika të qëndrueshme energjetike
16/04/2025Në ambientet e UBT-së, në bashkëorganizim me CIGRE Kosova, u mbajt konferenca me temën “Tranzicioni i Energjisë: Implementimi i Politikave dhe Strategjisë së Energjisë, Digjitalizimi”. Kjo konferencë mblodhi përfaqësues të institucioneve të rëndësishme të sektorit energjetik, akademikë, studentë dhe ekspertë të fushës, për të diskutuar rreth zhvillimeve aktuale dhe sfidave në procesin e tranzicionit energjetik në Kosovë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në fjalën e tij hyrëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, digjitalizimit dhe inovacionit si elemente kyçe për përballimin e sfidave të tranzicionit energjetik.
“UBT është një institucion që është përgatitur me kohë që përmes platformës akademike dhe shkencore, të përgatisë kuadro të rinj profesionalë dhe të kontribuojë në ndërtimin e një ekonomie të gjelbër dhe të qëndrueshme në vendin tonë”.
Ndërsa Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin e sektorit të energjisë përmes miratimit të Strategjisë së Energjisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së gjerë në këtë proces.
“Për hartimin e Strategjisë së Energjisë kemi pasur konsultime publike në shtatë komuna të Kosovës, ku edhe vetë kam marrë pjesë. Megjithatë, kemi parë që interesimi më i madh i qytetarëve shfaqet kur flitet për tarifat, e jo kur diskutojmë për dokumentet strategjike që janë themelore për zhvillimin afatgjatë”, tha Ministrja Rizvanolli.
Më tej, ajo shtoi se “energjetika është një fushë dinamike që po ndryshon shumë shpejt për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe ndikimeve ndërkombëtare, prandaj zhvillimi i kapaciteteve njerëzore është thelbësor”.
Ajo potencoi se deri tani janë bërë dy ose tre investime të mëdha sipas strategjisë energjetike, dhe theksoi se synimi është që “deri në vitin 2030 Kosova të jetë pjesë e tregut evropian të energjisë elektrike”.
Kryetarja e Komitetit Nacional të CIGRE Kosova, Pranvera Dobruna – Kryeziu, foli për rolin ndërkombëtar të kësaj organizate si burim ekspertize në fushën e energjisë.
“CIGRE në vitin 2022 ka miratuar një strategji që parasheh përdorimin e ekspertizës së anëtarëve të saj për të mbështetur vendimmarrjen në politikëbërje publike”.
Ajo rikujtoi se në simpoziumin e parë të mbajtur në vitin 2022, “menjëherë pas përfundimit kemi dërguar rekomandimet tona në institucionet përkatëse, përfshirë edhe ministrinë, në një kohë kur strategjia ende nuk ishte miratuar”.
Konferenca u karakterizua nga pjesëmarrja e studentëve të programit të energjisë, si dhe nga profesorë universitarë, dekanë dhe përfaqësues të institucioneve publike dhe private që janë të përfshira në implementimin e politikave energjetike në Kosovë.
Gjatë konferencës u mbajtën prezantime të shumta, përfshirë:
- Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e cila prezantoi sfidat e dekarbonizimit sipas strategjisë së re energjetike,
- Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë (KOSTT) që diskutoi rreth vështirësive në zbatimin e masave në rrjetin transmetues dhe balancimin e sistemit,
- Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që solli në fokus sfidat e rrjetit të shpërndarjes,
- Kompania AIR Energy (GURIS) e cila ndau përvojën nga operimi i Parkut me Erë në Kitkë, në juglindje të Kosovës, dhe
- UBT që paraqiti ndikimin e integrimit të burimeve të ripërtëritshme në aspektin ekonomik dhe teknologjik të sektorit energjetik.
Konferenca u përmbyll me një sesion diskutimesh të hapura mes ekspertëve, studentëve dhe përfaqësuesve institucionalë, ku u theksua domosdoshmëria për përshpejtimin e reformave, krijimin e kushteve të favorshme për investime dhe mbështetjen e brezit të ri si faktor kyç për të ardhmen energjetike të Kosovës.