
Rektori Hajrizi dhe Drejtori Ahmeti prezantojnë në Kongresin e 61-të Botëror të Planifikimit Urban të organizuar nga ISOCARP
11/11/2025Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Drejtori i Institutit për Studime Urbane, Shqiprim Ahmeti, kanë mbajtur një prezantim online në kuadër të Kongresit të 61-të Botëror të Planifikimit Urban, të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Planifikuesve të Qyteteve dhe Regjioneve (ISOCARP).

Këtë vit, kongresi po mbahet në Riad të Arabisë Saudite, nën temën qendrore: “Qytetet dhe Rajonet në Veprim: Rrugët e Planifikimit drejt Qëndrueshmërisë dhe Cilësisë së Jetës”.
Ky kongres përfaqëson platformën më të madhe globale shkencore dhe profesionale në fushën e planifikimit urban dhe rajonal, duke bashkuar planifikues, arkitektë, studiues, politikëbërës, drejtues universitetesh dhe përfaqësues të sektorit privat nga mbarë bota.
Në prezantimin e tyre, përfaqësuesit e UBT-së trajtuan qasje inovative në planifikimin urban dhe rajonal, duke theksuar rëndësinë e digjitalizimit, qëndrueshmërisë dhe integrimit të teknologjisë në zhvillimin e qyteteve moderne.
Ata prezantuan iniciativen kombëtare “Kosova Smart City” e cila synon të hartojë strategjitë për qytetet e mençura në Kosovë si dhe modelin e UBT Smar City Ecosystem i cili synon të ndërtojë praktika konkrete të replikueshme në sistemet komplekse urbane.
Kongresi synon shkëmbimin e praktikave ndërkombëtare dhe zhvillimin e paradigmave të reja të planifikimit, që adresojnë sfidat e kohës në drejtim të reziliencës, drejtësisë sociale dhe cilësisë së jetës urbane. Ky angazhim përbën një mundësi të rëndësishme për UBT-në dhe Kosovën, duke i vendosur ato në qendër të rrjeteve globale profesionale në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban.

