Punimi shkencor i profesorëve të UBT-së publikohet në revistën prestigjioze “Journal of Intelligence History”

15/08/2022

Puna dhe angazhimi i profesorëve të UBT-së edhe jashtë kurrikulave mësimore, duke u përqendruar në hulumtime dhe raste studimore, ka bërë që punimet e tyre të cilat mbështeten nga UBT të merren për bazë në fusha të ndryshme, si dhe të promovohen në revista prestigjioze.

Së fundmi, në revistën ndërkombëtare “Journal of Intelligence History” pjesë e Taylor & Francis, i indeksuar në platformën Scopus, është publikuar punimi shkencor i dy profesorëve të UBT-së: Bahri Gashi nga Fakulteti Studime të Sigurisë dhe Ngadhnjim Brovina nga Shkenca Politike me temën: “Konteksti rajonal i shërbimeve të inteligjencës në sistemin parlamentar: Një studim krahasues i Ballkanit Perëndimor”.

Qëllimi i këtij studimi është të ofrojë elemente të rëndësishme ligjore, duke sistemuar njohuritë në aspekte që lidhen veçanërisht me kompetencat, monitorimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e agjencive shtetërore të inteligjencës në sistemin demokratik të funksionimit në kontekstin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Fokusi i të gjithë punimit është nëse sistemi parlamentar është saktësisht modeli më i përshtatshëm për mbikëqyrjen e shërbimeve të inteligjencës, si dhe krahasimi i rregullimit ligjor në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Të bashkëngjitur gjeni artikullin e publikuar: “Konteksti rajonal i shërbimeve të inteligjencës në sistemin parlamentar: Një studim krahasues i Ballkanit Perëndimor”