Punimi i profesorëve të UBT-së publikohet në revistën “Ecological Engineering & Environmental Technology”

07/12/2022

Punimi shkencor i profesorëve të Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, Hysen Ahmeti, Ragip Behrami dhe Arton Qorri, me titull: “Re-Cultivation of the Area from the Ecological Aspect where Limestone has been Exploited in Pasomë Village”, është publikuar në revistën shkencore “Ecological Engineering & Environmental Technology”, e indeksuar në Scopus.

Qëllimi i këtij punimi ka qenë gjetja e zgjidhjeve adekuate për rehabilitimin e shpateve anësore të burimit gëlqeror në fshatin Pasomë të Komunës së Vushtrrisë, duke krijuar gjeometrinë e shpateve anësore me faktorin e sigurisë të lejuar sipas standardeve gjeoteknike për të mundësuar rikultivimin e zonës së burimit.

Në këtë punim është rezultuar që degradimi i mjedisit në zonën e burimit gëlqeror ishte pothuajse i një shkalle të lartë, por në bazë të hulumtimeve dhe analizave të marra, autorët kanë arritur në përfundimin se kjo pjesë e zonës mund të kthehet në gjendjen e mëparshme natyrore duke zbatuar ndërtimin e shpateve anësore sipas gjeometrisë së projektuar dhe duke aplikuar bimësinë përkatëse të propozuar që i përshtatet kësaj zone.

Në linkun në vazhdim mund të gjeni punimin e plotë të profesorëve të UBT-së: “Re-Cultivation of the Area from the Ecological Aspect where Limestone has been Exploited in Pasomë Village”.