Publikim i rëndësishëm shkencor nga profesorët e UBT-së në revistën prestigjioze “International Journal of Biomedicine”

09/06/2025

Një grup profesorësh dhe studiuesish nga UBT kanë arritur një sukses të rëndësishëm akademik me publikimin e artikullit të tyre shkencor në revistën ndërkombëtare me qasje të hapur “International Journal of Biomedicine (IJBM)”, një platformë e njohur për hulumtime të avancuara në biologji dhe mjekësi.

Artikulli me titull: “Morphometric Analysis of Lip Dimensions in a Healthy Albanian Population of Southeastern Kosovo”, është publikuar më 5 qershor 2025 dhe është një studim origjinal mbi karakteristikat morfometrike të buzëve te adoleshentët shqiptarë në juglindje të Kosovës.

Autorët e studimit janë: Miranda Sejdiu Abazi, Saranda Sejdiu Sadiku, Zlatko Georgiev, Jeta Kelmendi, Arben Abazi dhe Agim Prokshaj.

Përmbledhje e studimit

Ky studim ka analizuar përmasat e buzëve në një kampion të shëndetshëm të adoleshentëve shqiptarë të moshës 12-18 vjeç, duke përdorur metoda të avancuara të matjes morfometrike me kaliper dixhital dhe gjurmë buzësh. Rezultatet tregojnë se meshkujt kanë buzë më të gjata dhe pak më të gjera në krahasim me femrat. Të dhënat përbëjnë një bazë të rëndësishme për standarde antropometrike dhe mund të jenë të vlefshme për fusha si dermatologjia kozmetike, ortodoncia dhe shkenca forenzike.

Ky publikim jo vetëm që konfirmon përkushtimin e profesorëve të UBT-së ndaj kërkimit shkencor, por njëkohësisht kontribuon në avancimin e njohurive në fushën e biomjekësisë me fokus të veçantë në karakteristikat e popullatës shqiptare.

Artikulli është i qasshëm për publikun dhe mund të citohet sipas formatit zyrtar të revistës International Journal of Biomedicine (IJBM)