Profesorët e UBT-së, Lulzim Beqiri dhe Kujtim Elezi zhvilluan një vizitë produktive në Universitetin “Anhalt University of Applied Science” në Desau të Gjermanisë

09/02/2023

Dekani i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Lulzim Beqiri së bashku me profesorin Kujtim Elezi, kanë qëndruar për vizitë studimore në Universitetin e Shkencave të Aplikuara “Anhalt University of Applied Science”, në Desau të Gjermanisë.

Në kuadër të kësaj vizite, profesorët Beqiri dhe Elezi kanë takuar studentët e UBT-së, të cilët tashmë janë në mobilitet rreth angazhimeve dhe lëndëve që kanë ndjekur me qëllim të ekuivalentimit në programin studimor në UBT.

Profesorët Lulzim Beqiri dhe Kujtim Elezi njashtu kanë takuar Christian Lippold, përfaqësues të Zyrës Ndërkombëtare, me të cilin kanë diskutuar rreth vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, me ç’rast janë nxjerrë disa rekomandime, si:

  • të vazhdohet me projektet e mobilitetit me Fakultetin e Arkitekturës;
  • të analizohet mundësia e mobilitetit për studentë nga Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT në dy nivelet në Fakultetin e Ekonomisë dhe Tregtisë Ndërkombëtare në Bernburg të Gjermanisë;
  • të bëhet ftesa për vizitë në UBT për disa përfaqësues të fakulteteve nga “Anhalt University of Applied Science”, për të analizuar edhe diskutuar mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit edhe me shkollat tjera;
  • të ftohen mësimdhënës nga “Anhalt University of Applied Science” për punëtori njëjavore në UBT (përmes Erasmus +) me studentët e UBT-së;
  • të ftohet “Anhalt University of Applied Science” në punëtoritë dhe shkollat verore në UBT, që zhvillohen me studentë ndërkombëtarë.

Profesorët Beqiri dhe Elezi ishin në panelin vlerësues të prezantimeve të studentëve të nivelit master në studion e udhëhequr nga profesori Ivan Kucina me temën: “What is good for women is good for all”.

Përgjatë vizitës, profesorët Beqiri dhe Elezi kanë takuar edhe profesorët Stephan Pinkau dhe Vesta Nele Zaher, me të cilët ka diskutuar rreth mobilitetit të studentëve dhe dërgimit të tyre në akademi verore, në punëtori, si dhe rreth projektit për programin e doktoratës, si një mundësi për avancim të stafit.