Profesori Alban Kuriqi renditet në mesin e shkencëtarëve më të mirë në botë sipas Stanford/Elsevier 2025

22/09/2025

Universiteti prestigjioz Stanford dhe shtëpia botuese shkencore Elsevier, në renditjen ndërkombëtare “World’s Top 2% Scientists” për vitin 2025, kanë përfshirë sërish Prof. Alban Kuriqin ndër shkencëtarët më me ndikim në botë, duke e përfaqësuar denjësisht UBT-në.

Profesori Kuriqi ka arritur renditjen më të lartë në Kosovë dhe në të gjithë hapësirën shqiptare, me një diferencë të dukshme krahasuar me studiuesit e tjerë, si në kategorinë e ndikimit për një vit të vetëm (2024), ashtu edhe në kategorinë e ndikimit shkencor gjatë gjithë karrierës.

Ky vlerësim dëshmon reputacionin gjithnjë në rritje të UBT-së si një universitet lider në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, duke e pozicionuar atë në pararojë të ekselencës akademike dhe inovacionit në rajon.

Renditja e Stanford/Elsevier bazohet në një analizë të gjerë të citimeve shkencore, ndikimit të kërkimit dhe kontributit në karrierë në të gjitha fushat. Përfshirja në 2% më të mirët konsiderohet një nga arritjet më prestigjioze në botën akademike, e rezervuar për studiuesit puna e të cilëve formëson njohurinë dhe praktikat shkencore globale.

Kontributet e Prof. Kuriqit përfshijnë fusha si inxhinieria civile, menaxhimi i burimeve ujore, energjia e rinovueshme dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, me punime që janë cituar dhe vlerësuar gjerësisht në nivel ndërkombëtar për ndikimin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm.