Përmbyll aktivitetin Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT

23/07/2021

Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, ka vazhduar aktivitetin në ditën e tretë të saj me ligjërata që prekin tematika të ndryshme, e që kanë zgjuar interesim të madh te studentët dhe pjesëmarrësit e kësaj akademie.

 

Në kuadër të “Global UBT Fest 2021”, studentët kanë marrë njohuri fillimisht nga asistentja Shkurte Dalipi, teksa më pas kanë vazhduar me konsultime duke filluar me formësimin e konceptit, nga ku më pastaj studentët janë ndarë në grupe, duke u marrë një pjesë me punën e modelit, një pjesë me përgatitjen grafike të punimit, fillimit të vendosjes në poster, si dhe përpunimit të materialit.

 

ANV e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor ka vazhduar me vizitat e studentëve në terren bashkë me profesorin Ramë Hamzaj, në lagjet Emshir, Mati 1 dhe Arbëria, nga ku janë identifikuar problemet që kanë disa ndërtesa në këto lagje, të cilat nuk u janë përmbajtur ligjeve dhe normave të ndriçimit, e të cilat kanë mungesë ndriçimi natyral dhe janë zëvendësuar me ndriçim artificial.

 

Tutje, Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, ka vazhduar me temën: “Ndikimi i ndriçimit natyral në arkitekturën moderne, rast studimi ndriçimi natyral në Muzeume”.

 

Në kuadër të kësaj teme janë shtjelluar ndriçimi natyral në arkitekturën moderne, shtimi i ndriçimit natyral në arkitekturë, ndriçimi nordik, teknologjia e dritës natyrale përmes fibrave optik, drita në Kimbell Art Museum, V&A Medieval and Renaissance Galleries në Londër.

 

Në ditën e katërt të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, studentët kanë prezantuar projektet dhe punën e tyre para profesorëve, të cilët i kanë ndjekur përgjatë gjithë kohës sa ata kanë punuar.

 

Këto projekte janë realizuar nga studentët e UBT-së, pas matjeve të tyre në terren, si dhe vizitës në lagje të ndryshme të Prishtinës lidhur me ndriçimin në arkitekturën vernakulare të objekteve të ndryshme.

 

Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, mblodhi shumë ekspertë dhe profesionistë të fushës së arkitekturës, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2021”.