Përfaqësues të Kompanisë Melita&Partners mbajtën një ligjëratë tematike në UBT – ftuan studentët e Sistemeve të Informacionit për praktikë profesionale

08/05/2024

Studentët e Sistemeve të Informacioni do të kenë mundësi të zhvillojnë praktikë profesionale në kompaninë Melita&Partners, si dhe të jenë pjesëmarrës pa pagesë në Konferencën Vjetore që organizohet nga kjo kompani dhe nga partnerë të tjerë.

Në kuadër të lëndës “Kontabiliteti financiar dhe menaxhimi”, studentët e vitit të parë të Fakultetit Sisteme të Informacionit në UBT, patën mundësinë të bashkëbisedojnë dhe të dëgjojnë nga përvoja e Melita Ymeraga, pronare e kompanisë Melita&Partners dhe Donjeta Kastrati, trajnere në këtë kompani.

Melita Ymeraga dhe Donjeta Kastrati prezantuan praktikat më të fundit në kontabilitetin digjital përmes softuerit ndërkombëtar Quickbooks. Studentët kishin mundësinë të përfitonin nga përvoja praktike në kontabilitet duke përdorur një nga softuerët më të njohur në treg. Po ashtu, studentët u ftuan për punë praktike në këtë kompani, si dhe të jenë pjesëmarrës pa pagesë në konferencën vjetore që organizohet nga kjo kompani, së bashku me partnerët e saj.

Kjo ligjëratë ofroi një mundësi të shkëlqyer për studentët për të përshpejtuar zhvillimin e tyre profesional në fushën e kontabilitetit financiar dhe menaxhimit.