
Një delegacion nga Universiteti Pecs nesër viziton UBT-në
25/03/2014Prishtinë, 25 mars 2014 – Me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, një delegacion nga Universiteti Pecs, nga Republika e Hungarisë, i prirë nga menaxhmenti dhe profesorë të Fakultetit të Arkitekturës, do të qëndrojë në Republikën e Kosovës, gjegjësisht në UBT.
Ky delegacion, ndër të tjera, në kuadër të kësaj vizite do të zhvillojë edhe një ligjëratë me temë nga fusha e Arkitekturës, si dhe do të prezantojë programet që ofron ky universitet nga lëmia e arkitekturës, në të gjitha nivelet e studimit si Bachelor, Master dhe PhD, me datë 26 mars, duke filluar nga ora 11.00, në objektin e UBT-së, në Prishtinë.
Ky delegacion nga Universiteti Pecs, përveç ligjëratës dhe prezantimit të programeve që ofron ky universitet, do të bëjë edhe një vizitë të Kampusit të ri të UBT-së, në Lipjan.
Delegacioni hungarez do të takohet edhe me presidentin e UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ku do të bisedohet për vazhdimin e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve, bashkëpunim i cili ka filluar vitin e kaluar, kur z. Hajrizi, në vazhdën e aktiviteteve me karakter shkencor të zhvilluara jashtë vendit për tre ditë me radhë pati qëndruar në Pecs të Hungarisë, me ç’rast edhe mori pjesë në Simpoziumin e Nëntë Ndërkombëtar Shkencor “Architecture, Engineering and Information Technology”, të organizuar nga ky universitet, në kuadër të ti cili cilit, presidenti i UBT-së, dr. Hajrizi, prezantoi punimin e tij shkencor me titull “Reflektimi në vlerësimin dhe akreditimin institucional të programeve studimore në vendet në tranzicion: UBT dhe Republika e Kosovës si rast studimi”.