Nis Akademia Ndërkombëtare Verore e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor

14/07/2022

Ka filluar me aktivitete të ndryshme edicioni i sivjetshëm i Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, në hapje të së cilës filloi punimet moduli i veçantë: “Raporti urban – rural, kohezioni territorial”, i udhëhequr nga profesori Binak Beqaj.

 

Në pjesën e parë të kësaj akademie, ligjëruan edhe profesorë të tjerë, sikurse profesori Hazer Dana, i cili zhvilloi ligjëratë rreth temës: “Popullsia – trendet dhe karakteristikat”, si dhe profesori Shqiprim Ahmeti, i cili shpalosi më shumë detaje rreth koncepteve të reja zhvillimore urbanistike.

 

Pas ligjëratave tematike u zhvillua një debat nga të pranishmit dhe u vazhdua me pjesën praktike, ku së pari studentët pjesëmarrës janë ndarë në grupe dhe kanë vijuar me fazat e projektit që ndërlidhet me konceptin e planifikimit urban dhe rural, dhe kohezionin territorial, si raste studimore janë përzgjedhur dy komuna: Prishtina dhe Deçani.

 

Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme, të cilat do të karakterizohen me folës të shumtë, të cilët janë ekspertë dhe profesionistë të fushës së arkitekturës, dhe në fund studentët do të kenë mundësi të prezantojnë punimet, apo projektet e tyre të realizuara përgjatë kësaj akademie.