Në UBT promovohet libri monografik “Hekurudhat e Kosovës” i profesorit Hazir Çadraku

06/12/2022

Në prani të rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorëve dhe studentëve të UBT-së, si dhe pjesëmarrësve të tjerë, në UBT u bë promovimi i librit monografik “Hekurudhat e Kosovës”, e autorit Hazir Çadraku.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka përgëzuar profesorin Hazir Çadraku për punën dhe angazhimin e tij, duke vlerësuar se produktiviteti i stafit të UBT-së është në rritje dhe kjo shërben për të gjeneruar dije në gjeneratat e ardhshme.

Ndërkaq, recensentët e librit “Hekurudhat e Kosovës”, Nol Dedaj dhe Beni Kizolli, vlerësuan se ky libër do të jetë në shërbim të të gjithë atyre që studiojnë në këtë fushë dhe kontributi i profesorit Çadraku do të shërbejë në zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë.

Nga të dhënat dhe informacionet e mbledhura në këtë libër monografik, është rezultuar se pikënisja apo “historiku i madh” i hekurudhave të Kosovës është viti 1874, kur treni i parë hyri nga Shkupi në Kosovë.

Bazuar në të dhënat dhe informacionet të cilat u grumbulluan dhe u trajtuan me qëllim të shkrimit të kësaj monografie, rezulton se rrjeti hekurudhor (infrastruktura hekurudhore) i vendit tonë nuk është në gjendje të mirë, prandaj kërkohet ndërhyrje përmes një analize më të thellë e mbështetur me kërkime në terren, analiza teknike, si dhe laboratorike.