Në UBT prezantohen projektet zhvillimore e transformuese për Komunën e Gjilanit

19/10/2022

Në praninë e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe anëtarëve të kabinetit të tij, si dhe në praninë e menaxhmentit të lartë të UBT-së, përfaqësuesve të fakulteteve të involvuara, si dhe grupeve punuese, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan është bërë prezantimi i tri projekteve zhvillimore me karakter transformues për Komunën e Gjilanit.

Projekti për rigjenerimin urban të qendrës së qytetit të Gjilanit, projekti për objektin e ri të administratës komunale, si dhe projekti për studimin e fizibilitetit të zonës ekonomike janë projekte që pritet ta transformojnë Komunën e Gjilanit si në aspektin fizik, ashtu edhe në aspektin e impaktit zhvillimor ekonomik dhe në ofrimin e shërbimeve administrative.

Për rigjenerimin urban të qendrës së qytetit të Gjilanit janë punuar dy skenarë të ndryshëm, duke krijuar kështu hapësirë për përzgjedhje mes transformimit më të butë dhe atij më radikal të qendrës së qytetit, teksa të dy skenarët dhe projektet janë dizajnuar duke respektuar parimet e dizajnit të qëndrueshëm urban, si dhe reflektojnë aplikimin e koncepteve bashkëkohore në këtë fushë, duke përfshirë qasjen e integruar, kujdesin ndaj mjedisit, promovimin e mobilitetit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirjen.

Edhe projekti për objektin e ri të administratës komunale përbëhet nga dy skenarë, apo propozime, me secilin prej tyre që reflektojnë frymëzimin dhe aplikimin e koncepteve dhe praktikave më bashkëkohore në fushën e arkitekturës.

Në këtë takim është prezantuar edhe projekti për fazën e parë të studimit të fizibilitetit për zonën ekonomike, e cila pritet të ketë një impakt të madh zhvillimor jo vetëm për Gjilanin, por edhe për tërë rajonin e Anamoravës.

Projektet, të cilat janë duke u realizuar nga stafi i UBT-së dhe studentë të nivelit master, janë prezantuar nga profesori Visar Baxhuku, si dhe studentët: Festina Bucaliu, Egurrona Myrtaj dhe Edona Klaiqi, të cilat bashkë me studentët tjerë pjesëmarrës në këto projekte, krahas studimeve master janë duke vazhduar karrierën e suksesshme në fushën e arkitekturës dhe dizajnit.

Stafi dhe studentët nga Instituti për Studime Urbane, Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Fakulteti i Ndërtimtarisë si dhe Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomik janë duke dhënë kontributin e tyre profesional e shkencor në këto projekte.