Në UBT bëhen bashkë gjashtë universitete vendore dhe evropiane për Konferencën e Akademikëve të Diasporës (Diaspora Academician Conference 2022)

08/08/2022

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ka nisur punimet Konferenca e Akademikëve të Diasporës (Diaspora Academician Conference 2022), ku UBT bëri bashkë studiues dhe praktikues nga fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, përfaqësues nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, për të shkëmbyer ide dhe përvoja nga profili i tyre akademik.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në hapje të kësaj konference, tha se përmes këtij projekti synohet të fillohet një bashkëpunim mes tri universiteteve vendore (Universitetit të Prishtinës, Universitetit të Prizrenit dhe UBT-së), me tri universitete evropiane (Linneaus University, Norwegian University of Science and Technology dhe South-East European Research Centre).

“Ideja është të krijojmë një shkollë kombëtare të doktoraturës, dhe ne përmes kësaj lidhje mund të ndajmë burimet akademike dhe infrastrukturore, pra mund të krijojmë diçka të ngjashme, dhe duke u bazuar në raportet evropiane mund të arrijmë të jemi në gjendje të konkurrojmë në nivele ndërkombëtare. Në këtë kuadër ne shohim diasporën, specifikisht akademikët nga diaspora, si personalitete me rol kyç në teknologji”, ka thënë rektori Hajrizi.

Koordinatorja e këtij projekti, Anita Mirijamdotter, nga Linnaeus University, ka theksuar se ky projekt ka nisur më herët dhe se planifikohet të përfundohet në nëntorin e vitit 2023.

“Ne mendojmë të krijojmë vende pune në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit për 10 mijë persona deri në vitin 2025, dhe kemi vizion për të zhvilluar kombin përmes arsimit, duke pasur qasje me tri shtresat e projektit: shtresa e infrastrukturës, shtresa e kapacitetit kërkimor dhe programi kombëtar i doktoraturës”, ka thënë Mirijamdotter.

Këshilltari i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, ka thënë se Qeveria ka miratuar strategjinë kombëtare për zhvillim për vitin 2030, strategji e cila përfshin shumë sektorë, ndër të cilët është edhe digjitalizimi i arsimit dhe diaspora.

“Përmes transformimit digjital, administrata publike krijon shërbime më të mira për qytetarët. Ndërtimi i infrastrukturës digjitale në shkolla dhe universitete, digjitalizimi i procesit të edukimit, krijimi i përmbajtjes digjitale për edukim dhe zhvillimi i aftësive digjitale për mësimdhënësit dhe stafin arsimor, janë pjesë e ambicies tonë të planit të digjitalizimit në edukim”, ka thënë ai.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, vlerësoi se një konferencë e tillë paraqet një mundësi shumë të mirë të bashkëpunimit dhe zhvillimit institucional lidhur me teknologjinë në përgjithësi.

“Duke bashkuar institucionet e larta publike dhe private arsimore, partnerët ndërkombëtar, përfaqësuesit e diasporës dhe përfaqësuesit e industrisë në këtë drejtim, besoj se është mundësia unike për të adresuar bashkëpunimin dhe zhvillimin institucional lidhur me Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit”, ka thënë rektori Sahiti.

Përfaqësuesi i Universiteti të Prizrenit, Arsim Susuri, në emër të rektorit të këtij universiteti, përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, duke thënë se të gjithë mund të kontribuojnë në këto aktivitete duke bashkëpunuar me diasporën dhe universitetet ndërkombëtare, për të nxjerrë rezultate të larta.

Në pjesën e dytë të konferencës, u zhvillua një tryezë e diskutimit, në të cilën morën pjesë: rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës së Maqedonisë së Veriut, Admirim Aliti, zëvendës-ministrja e MAShTI, Edona Maloku-Bërdyna, si dhe zëvendës-ministrja e MPJD-së, Liza Gashi, ku u diskutua me të gjithë pjesëmarrësit për ndikimin e diasporës shqiptare në rritjen e kapaciteteve kërkimore të TIK-ut dhe dukshmërisë së sistemit arsimor të Kosovës përmes projekteve kërkimore ndërkombëtare.

Konferenca e Akademikëve të Diasporës (Diaspora Academician Conference 2022) do të vazhdoj edhe nesër, në Qendrën e Teknologjisë dhe Inovacionit të UBT-së në Prizren, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren.