Në Akademinë Verore të Sportit, Shëndetit dhe Shoqërisë diskutohet për trajtimin dhe rikuperimin e lëndimeve fizike

29/07/2020

Akademia e Sportit, Shëndetit dhe Shoqërisë ka vazhduar aktivitetin e saj edhe në ditën e tretë, ku studentët dhe profesorët patën një interaktivitet të frytshëm mbi temat që ata diskutuan lidhur me sportin dhe shëndetin në aktivitetet sportive. Ata vlerësuan se parandalimi, trajtimi, si dhe rikuperimi i dëmtimeve fizike që ndodhin në sport, janë një element shumë i rëndësishëm, që duhet kushtuar vëmendje në vazhdimësi.

 

Profesori Faton Tishukaj, ka folur më gjerësisht rreth sportit dhe shëndetit si nocion dhe element i rëndësishëm në shoqëri, si dhe për testimin lidhur me fitnesin. Kurse, profesori Ismet Shalaj, me studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë, ka diskutuar mbi monitorimin e ngarkesës në trajnime dhe ndeshje sportive, duke vlerësuar elementin e kujdesit që sportistët duhet të kenë në trajnimet dhe ndeshjet që ata zhvillojnë.

 

Profesori Enver Tahiraj, ligjëroj rreth rikuperimit që është një prej elementeve kyçe gjatë kohës kur sportistët kanë lëndime, e sidomos ato serioze. Ai shpjegoi për mënyrën dhe procesin e trajtimit, si dhe rikuperimin si pjesë të rëndësishme të procesit të forcës dhe kondicionimit. Profesori Tahiraj, u shpjegoi në detaje lidhur me strategjitë dhe format e rikuperimit në sport.

 

Akademia Verore e Sportit, Shëndetit dhe Shoqërisë, do të vazhdojë aktivitetin e saj edhe në ditët në vijim, duke i dhënë mundësinë studentëve që të zgjerojnë diapazonin e tyre me informacione nga kjo fushë.