
Në UBT nisi punimet aktiviteti Ditët e Ndërmarrësisë
10/02/2014Studentët e UBT-së të gatshëm për ide të reja për biznese
Prishtinë, 10 shkurt 2013- UBT në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha Fakultetet, stafin akademik dhe ekspertë të shumët, ka organizuar aktivitetin e tij tradicional “Ditët e Ndërmarrësisë”, që është aktivitet unik në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
Në kuadër të këtij aktiviteti, me punime të tyre janë paraqitur një numër i madh i studentëve UBT-së, që kanë prezantuar planet dhe idetë e tyre të biznesit.
Komisioni i përbërë nga disa profesorë të lëndëve përkatëse të UBT-së, dhe mbikëqyrës të punimeve, u shpreh i entuziazmuar për rezultatet e studentëve dhe dhanë përshtypje pozitive të biznes planeve. Ata ishin pozitivisht të befasuar me cilësinë dhe përkushtimin e shfaqur nga ana e studenteve. Komisioni në fjalë tha se gjatë procesit të mentorimit, kanë vënë re se studentet me kalimin e kohës janë lidhur me idetë e tyre biznesore dhe do të jenë në kërkim të mundësive financiare për hapjen e tyre.
Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, tha se ky aktivitet është pjesë e planit tradicional dhe strategjik të UBT-së, për t’i plotësuar studimet tona më bashkëkohore. Ai me tej shtoi se objektiv i kësaj dite është që të promovohet sa më shumë ndërmarrësia, të shihet roli dhe rëndësia e saj, të vlerësohen idetë e studentëve, të arrihet një pjekuri e kompetencës së tyre në të bërit biznes. Ai shtoi se UBT ka menduar që studentëve, autorë të planeve biznesore të përzgjedhura t’iu ndihmojë për ta nisur një biznes të ri.
Ndërsa Armend Muja, profesor në UBT dhe vlerësues i këtyre punimeve të aktivitetit në fjalë, tha se rëndësia e biznes planeve konsiston në aspektin empirik të punës dhe studimit të studentëve. “Biznes planet janë forma më e mirë e projektimit të ideve biznesore të studenteve përpara se të inkuadrohen në tregun e punës. Ne realitet lënda ka shërbyer edhe si lloj inkubatori biznesor meqë bartësit e lëndës kanë punuar në disa faza me studentet – në procesin e selektimit dhe strukturimit të idesë biznesore, në analizën e tregut, në planin e marketingut, planin operacional dhe financiar. Gjithashtu studentët patën rastin që të kenë ballafaqimin e parë me dimensionin praktik të studimit por edhe kanë përfituar edhe përmes ekspozimit në trendët dhe mjetet bashkëkohore të analizës së ambientit biznesor dhe faktorët rrethanor që ndikojnë avancimin e idesë së tyre biznesore.
Planet e biznesit të prezantuar i takojnë disa fushave si agro-biznesit, industria e përpunimit të ushqimit, riciklimi dhe përpunimi i metaleve, industria e shërbimeve dhe ato të sferës se ICT-se.
Prezantimi i punimeve është duke vazhduar dhe për rrjedhën e prezantimit dhe për përzgjedhjen do t’ju njoftojmë ditëve në vijim.