Me ligjërata mbi teknikat e reja të të mësuarit, përfundoi punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Edukimit

23/07/2019

Sot ka zhvilluar punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Edukimit, në të cilën morën pjesë ekspertë dhe qindra pjesëmarrës, të interesuar për sfidat, metodat dhe arsimin e së ardhmes.   Në hapje të kësaj akademie, rektori i UBT-së, prof.. dr. Edmond Hajrizi tha se edukimi dhe arsimimi janë çelësi i suksesit për një shtet të tërë, prandaj, sipas tij, UBT po sjell në Kosovë metodat më të reja të mësimdhënies. “Realiteti Virtual do të jetë një metodë tërësisht e re e mësimdhënies, që do të na dërgojë shumë hapa para në formën e të mësuarit dhe shkëmbimit të informacioneve, kjo sepse ne jemi shumë të interesuar që të vendosim fokusin aty ku do të vërehet ndikimi më i madh, e ndikimi më i madh është në edukimin e gjeneratave të reja”, theksoi ai.   Kryetarja e KETNET, prof. dr. Blerta Mustafa mbajti ligjëratë tematike më titull “Trendet e reja në të mësuarit e mendimit kritik”, teksa shpjegoi qasjet më të njohura për të menduarit kritik, procesin dhe zgjidhjet më të mira në këtë proces, si dhe të mësuarit e shkathtësive të të menduarit kritik.   Prof. dr. .Megan Fisk, vullnetare në Trupat Paqeruajtëse, njëherësh edhe udhëheqëse e Departamentit të Gjuhës Angleze Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë, fokusin e ligjëratës e vendosi tek tema “E të mësuarit duke u bazuar në zgjidhjen e problemeve”, me ç’rast sqaroi definimin e kësaj forme të re të të mësuarit, rëndësinë e përdorimit, duke e ilustruar edhe me shembuj konkretë rëndësinë dhe rezultatet e kësaj forme të të mësuarit.   Udhëheqësi i sektorit të hulumtimit në Institutin Pedagogjik të Kosovës, Ismet Potera trajtoi temën “Trendet aktuale në zhvillimin e arsimit në Kosovë”, ku trajtoi çështjen e reformës KK, rezultatet e testit PISA, trajnimi i mësimdhënësve dhe efikasiteti i tyre, lëvizja e numrit të nxënësve nga viti në vit, mungesat e nxënësve në shkollë, si dhe përmbajtja e kalendarit mësimor.   Prof. dr. Majlinda Gjelaj, prodekane për Çështje Akademike në Universitetin e Prishtinës, ligjëroi para pjesëmarrësve temën: “Sfidat në zhvillimin profesional të mësimdhënësve para dhe gjatë  shërbimit”, si një ndër temat më aktuale dhe më të rëndësishme në sferën e arsimit në Kosovë.   Për të ndarë përvojën e saj të studimit jashtë vendit, përfituesja e bursës “Fulbright”, Agime Gashaj u tregoi të pranishmëve mbi procedurat e aplikimit dhe komunitetin “Fulbright”, jeta në Manhattan, Kansas State Univeristy dhe përvoja akademike, si dhe mësimet që ajo ka mësuar gjatë periudhës së studimit.   Në fund të kësaj akademie, për pjesëmarrësit janë ndarë certifikata për pjesëmarrje të suksesshme në këtë organizim.