Kopshtit Botanik të UBT-së i shtohet pemishtja demonstruese

19/11/2021

Një pemishte demonstruese i është shtuar Kopshtit Botanik të UBT-së, një kopsht i cili ka bërë një ndërlidhje unike mes Fakultetit Inxhinieri e Agrikulturës dhe Mjedisit me një ekosistem të madh të dijes, të bazuar në teori dhe praktikë.

 

Kopshti Botanik i UBT-së, që është i pari i këtij lloji në vendin tonë, me mbi 560 bimë të ndryshme të cilat reprezentojnë bimët të cilat rriten në Kosovë dhe jashtë vendit, tashmë në brendi të sistemit të saj do të ketë edhe një pemishte demonstruese për qëllime hulumtimi dhe mësimi.

 

Profesori i UBT-së, Maxhun Shehaj ka thënë se përmes këtij aktiviteti studentët e Fakultetit Inxhinieri e Agrikulturës dhe Mjedisit në UBT, po përvetësojnë disa nga teknikat e kultivimit të mollës, teknika për të cilat ata i kanë mësuar dhe zhvilluar nga ana teorike në laboratoret e UBT-së.

 

“Ne po ngritim një pemishte demonstruese në Kopshtin Botanik të UBT-së, e cila studentëve do t’i kontribuojë shumë në mësimin praktik të kultivimit të kulturës së mollës. Praktikisht do të mësojmë për përzgjedhjen e kultivarëve, për tipin e nënshartesës, për teknikat e mbështetjes, teknikat e krasitjes, do të mësojmë teknologji të mbrojtjes nga sëmundja dhe dëmtues, gjithmonë duke pasur parasysh një qasje miqësore ndaj ambientit, duke shtuar këtu edhe demonstrimin e teknikave të krasitjes”, ka thënë profesori i UBT-së, Maxhun Shehaj.

 

Kjo pemishte gjithashtu do të jetë edhe në shërbim të Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, kështu duke krijuar një gërshetim të pjesës praktike me Fakultetin Inxhinieri e Agrikulturës dhe Mjedisit, si një ndërmarrje e përbashkët me qëllime studimi e hulumtimi.

 

Kopshti Botanik i UBT-së, me sistemimin e pemishtes demonstruese është duke rritur vlerat e zhvillimit të mëtutjeshëm të këtij ekosistemi me qëllim studimi e hulumtim përbrenda Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së.