
Java e Kuzhinës Italiane në UBT – bashkëpunim, kulturë dhe inovacion
25/11/2025Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së u shndërrua sot në qendrën kryesore të një aktiviteti ndërkombëtar me rëndësi të veçantë kulturore dhe shkencore, në kuadër të edicionit të 10-të të “Week of Italian Cuisine in the World”, një nga iniciativat më të njohura globale të Italisë.

Ngjarja, e organizuar me mbështetjen zyrtare të Ambasadës së Italisë në Kosovë, solli në UBT profesorin italian Tommaso Centrella, nga Instituti “Vergani Navarra” i Provincës së Ferraras, i cili mbajti një ligjëratë të thelluar mbi konceptin inovativ “Culinary Medicine” — një fushë që ndërthur artin kulinar, shkencën mjekësore dhe nutricionin për të promovuar shëndetin përmes ushqimit.
Në hapje të aktivitetit, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Italinë dhe rolin e UBT-së si institucion udhëheqës në edukim, inovacion dhe partneritete ndërkombëtare.
“UBT është shtëpia e projekteve ndërdisiplinore që sjellin vlerë për studentët dhe shoqërinë. Culinary Medicine lidhet drejtpërdrejt me vizionin tonë për të krijuar sisteme të zgjuara, qasje të reja dhe zgjidhje inovative që promovojnë shëndetin dhe mirëqenien. Sot, Kosova dhe Italia po ndërtojnë ura të reja bashkëpunimi, dhe UBT mbetet pikë takimi e këtij partneriteti kulturor, akademik dhe shkencor”, u shpreh Hajrizi.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, përgëzoi UBT-në për organizimin dhe theksoi se ky aktivitet përputhet plotësisht me vlerat dhe traditën italiane mbi ushqimin e shëndetshëm.
“Culinary Medicine është një fushë që bashkon shkencën mjekësore, nutricionin dhe artin kulinar me qëllimin për të përmirësuar shëndetin përmes asaj që hamë. Italia ka një trashëgimi të jashtëzakonshme gastronomike, të lidhur thellë me shëndetin — mjafton të kujtojmë dietën mesdhetare, të njohur nga UNESCO. UBT është vendi më i përshtatshëm për këtë konferencë, sepse është një institucion që e kupton rëndësinë e inovacionit dhe kulturës së qëndrueshme ushqimore”, theksoi Antonini.
Profesor Centrella prezantoi për studentët dhe të ftuarit konceptin modern të “Culinary Medicine”, duke theksuar rëndësinë e ushqimit të ndërgjegjshëm, përdorimit të produkteve natyrale dhe shmangies së ushqimeve të tepërta të industrializuara.
“Ushqimi i shëndetshëm fillon nga zgjedhja e produkteve natyrale, të stinës dhe të trajtuara me kujdes. Çdo përbërës që na jep natyra duhet respektuar. Kjo është thelbi i ushqimit të ndërgjegjshëm”, tha Profesori Centrella.
Profesori foli për rëndësinë e hidratimit, të yndyrave të mira, të antioksidantëve, dhe dha shembuj konkretë nga kuzhina mesdhetare:
“Vaji i ullirit ekstra i virgjër, farat, perimet me gjethe jeshile, drithërat dhe frutat e stinës janë aleatët tanë më të mëdhenj. Kombinimi i duhur i ushqimeve forcon mirëqenien tonë”.
Pas ligjëratës, ai demonstroi përgatitjen e një risoto me kungull të verës, duke i shpjeguar studentëve teknikat profesionale të përzgjedhjes së orizit, përgatitjes së lëngut të perimeve dhe karamelizimit përmes “reaksionit Maillard”.
Ngjarja i shtoi një kapitull të ri bashkëpunimit akademik dhe kulturor midis UBT-së dhe institucioneve italiane. Ajo u ndoq nga profesorë, studentë, ekspertë të gastronomisë dhe të fushës së shëndetit, të cilët patën mundësinë të ndërveprojnë drejtpërdrejt me ambasadorin Antonini dhe profesorin Centrella.


