Ish-studenti Bujar Sekiraqa, udhëheqës i AKEE-së në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik

10/01/2019

Ish-studenti i UBT-së, Bujar Sekiraqa i takon gjeneratave të para të të diplomuarve të UBT-së dhe Kosovës në Mekatronikë, si një fushë ende e re dhe fare pak e eksploruar në Kosovë.

 

Ai momentalisht është udhëheqës për Planifikim në Agjencinë e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, në kuadër Ministrisë për Zhvillim Ekonomik. Kurse, që nga përfundimi i studimeve, ka fituar përvojë të jashtëzakonshme profesionale edhe nëpër kompani dhe institucione të ndryshme vendore, përfshirë KEK-un, KEDS-in dhe Komunën e Obiliqit.

 

Duke pasur parasysh sfidat me të cilat po përballet sektori i energjisë në Kosovë, Bujari thotë se profesioni i tij është shumë i rëndësishëm dhe se Kosova ka nevojë për më shumë ekspertë të kësaj fushe.

“Duke e marrë parasysh që sektori i energjisë elektrike në Kosovë ndodhet në një pozitë jo të mire dhe kredibile, është mese e nevojshme që efiçienca e energjisë të gjejë përdorim më të madh, në mënyrë që të ndihmonte në ruajtjen e ambientit duke shfrytëzuar burime alternative dhe furnizim stabil me energji elektrike”, vlerësoi ai.

 

Bujari tha se studimet në UBT i kanë ndihmuar në marrjen e njohurive të reja, përmes ligjëratave produktive e profesionale, si dhe ushtrimeve laboratorike  të zhvilluara gjatë viteve të studimeve. Ndërkaq, tash ka për synim kryesor që të fillojë studimet e doktoratës dhe të angazhohet në akademi, në mënyrë që njohuritë e tij teorike dhe praktike t’i ndajë me gjeneratat e reja të studentëve.