I ftuar në forumin “LKDF Forum 2022”, rektori Hajrizi prezantoi storie nga sukseset e UBT-së në fushën e aftësive për reziliencë

21/10/2022

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në forumin “LKDF Forum 2022; Skills for Resilience; Are We Ready for a Skills Revolution?”, të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO).

Rektori Hajrizi ishte i ftuar nga forumi për të prezantuar storien e suksesit të UBT-së në fushën e aftësive për reziliencë, për profesionet e së ardhmes, si dhe rolin e akademisë në këtë drejtim, duke marrë për bazë edhe të arriturat e UBT-së në këto fusha dhe rangimet e saj nga organizata botërore.

Në këtë forum u fol edhe rreth elasticitetit në aftësi në kontekstin e mjedisit të zhvillimit të aftësive, ku rektori Hajrizi para një paneli profesionistësh dhe ekspertësh nga fusha të ndryshme, shpalosi konceptet e tij lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm dhe aftësitë për zhvillim, si dhe tregoi mbi të arriturat e UBT-së në aspektin e zhvillimit të aftësive në nivel individual, organizativ, sistemit arsimor dhe sektorit privat në Kosovë.

Ndër të tjera, Prof. Dr. Edmond Hajrizi foli edhe rreth rëndësisë së zhvillimit të teknologjive të reja të cilat do të ndikonin në përmirësimin e aftësive individuale, si dhe përmirësimin e kushteve në sektorin e arsimit dhe shkencës.

Duke parë se UBT është një institucion që përkrah fuqishëm zhvillimin e qëndrueshëm, rektori Hajrizi ka përsëritur nevojën që zhvillimi i aftësive aktuale dhe atyre të reja të bëhet përkrah zhvillimit të qëndrueshëm.

“Learning and Knowledge Development Facility – LKDF” është një platformë që promovon zhvillimin e aftësive industriale midis të rinjve në ekonomitë në zhvillim, e cila në edicionin e sivjetshëm të forumit “LKDF Forum 2022”, kishte për qëllim bashkimin e partnerëve, ekspertëve, profesionistëve për trajtimin e temave rreth zhvillimit të aftësive dhe qëndrueshmërinë në aftësi.