Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT mbajti konferencën me temën: “Tregtimi me instrumente financiare”

10/12/2021

Në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të UBT-së, Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, ka organizuar aktivitete në të cilat morën pjesë profesorë dhe studentë të UBT-së.

 

Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi ka mbajtur një konferencë me temën: “Tregtimi me instrumente financiare”, nga ku studentët  vitit të tretë të nivelit bachelor, në bashkëpunim me profesorin e UBT-së, Florin Aliu, prezantuan punimet rreth kësaj teme.

 

Punimet të cilat u prezantuan në këtë konferencë e që ndërlidheshin me temën e konferencës për tregtimin me instrumente financiare ishin:

  • Analiza teknike dhe fundamentale për zgjedhjen e aksioneve të listuara në NYSE dhe NASDAQ (Stock Screener Program)
  • Ndërtimi i një portofolio brenda bursës virtuale të Market Ëatch (Arbnora Sadiku dhe Rita Alimi)
  • Tregtimi me opsione binare (Florent Byqmeti)
  • Tregtimi me Forex (Florent Byqmeti)

 

Gjatë prezantimeve u theksua se si kohët e fundit investimet në instrumente financiare si aksione, obligacione, forex dhe kriptovaluta çdo herë e më shumë po rrisin interesimin tek studentët, individët, institucionet financiare dhe kompanitë private. Duke marrë parasysh rëndësinë dhe aplikimin e tyre, studentët në bashkëpunim me ligjëruesin e lëndës “Institucionet Financiare dhe Tregjet e Kapitalit”, profesorin Florin Aliu, prezantuan para të pranishmëve se si zgjidhen aksionet e kompanive të listuara në NYSE dhe NASDAQ dhe si krijohen portofoliot optimale.

 

Gjithashtu ata treguan më shumë rreth tregtimit afatshkurtër dhe atij afatgjatë me aksione dhe instrumente të tjera financiare, si dhe u prezantuan analiza teknike dhe fundamentale si pjesë të rëndësishmë të ndërtimit të portofolios brenda bursës.

 

Përveç anës teorike, studentët poashtu shpjeguan edhe aplikimin në praktikë të tregtimit me instrumente financiare. Ata përmes përdorimit të platformës Finviz shpjeguan se si kjo platformë paraqet një pasqyrë të gjendjes së të gjitha kompanive të listuara në bursa, që ndihmon në vendimmarrje për investim në kompanitë përkatëse.

 

Studentët në platformën IQOption simuluan edhe tregtimin me kriptovaluta dhe me forex duke aplikuar kështu të gjitha njohuritë e fituara gjatë ligjëratave në lëndën: “Institucionet Financiare dhe Tregjet e Kapitalit”.

 

Në fund, u hap debat i lirë në lidhje me temën e konferencës, ku përfaqësues nga industria, përfshirë edhe ish-studentë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, shpalosën përvojat e tyre gjatë tregtimit me aksione dhe me kriptovaluta duke ndarë kështu me të pranishmit storiet e tyre të suksesit dhe gabimet që duhet evituar gjatë investimit.