Fakulteti i MBE-së, mundësi e pakrahasueshme studimi

24/05/2018

 

“Fakulteti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) është fakulteti me traditën më të gjatë në UBT. Marrë parasysh eksperiencën e gjatë në akademi dhe besimin e vazhdueshëm të studentëve ndaj fakultetit tonë, MBE çdo vit shënon rritje të numrit të studentëve, si në nivelin Bachelor, ashtu edhe në atë Master”

Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, në nivelet bachelor dhe master, ofron mundësi të dyfishta, përfshirë punësimin dhe vazhdimin e studimeve jashtë vendit në universitetet ku UBT ka marrëveshje bashkëpunimi.

Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi i UBT-së, falë programeve specifike që i ofron nga fushat e Menaxhmentit, të Biznesit dhe të Ekonomisë është shndërruar në zgjedhje ideale për studentët aktualë dhe ata të ardhshëm të këtij drejtimi.

Në këtë fakultet ligjërojnë stafi akademik me përvojë shumëvjeçarë në fushat përkatëse, derisa veç ligjëratave, fakulteti organizon vizita studimore, punëtori të shumta etj.
Në një bisedë për Media Grupin e UBT, menaxheri i këtij fakulteti, Naim Preniqi, ka treguar për programin dhe veçantitë e njërit prej fakulteteve më të kërkuara në vend.

Media Grupi: Çka e bën të veçantë Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT?

Naim Preniqi: Fakulteti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) është fakulteti me traditën më të gjatë në UBT. Marrë parasysh eksperiencën e gjatë në akademi dhe besimin e vazhdueshëm të studentëve ndaj fakultetit tonë, MBE çdo vit shënon rritje të numrit të studentëve, si në nivelin Bachelor, ashtu edhe në atë Master. Specializimet e ofruara nga fakulteti MBE janë të larmishme dhe unike në tregun tonë dhe në rajon. Fakulteti ynë vepron me 5 specializime paralelisht në nivelin Bachelor, si dhe 4 specializime në Master.
Marrë parasysh se në shumicën e institucioneve të arsimit të lartë, fushat e Financave dhe Kontabilitetit mësohen në të njëjtin specializim, fakulteti MBE ka bërë ndarjen e këtyre fushave në dy specializime të veçanta (Kontabilitet, Auditim dhe Tatime si dhe Financa, Banka dhe Sigurime), ku fushat përkatëse mësohen në mënyrë më të detajuar. Specializimet e tjera që janë mjaft të kërkuara nga publiku në përgjithësi janë edhe Marketing dhe Shitje; Menaxhment, Ndërmarrësi dhe Inovacion si dhe Biznes Ndërkombëtar.
Fushat e Biznesit Ndërkombëtar në Bachelor si dhe specializimi Logjistikë dhe Menaxhim i Prokurimit në Master, janë dy fusha inovative dhe shumë pak të mbuluara nga institucionet tjera në Kosovë.

Media Grupi: Cilat janë specifikat e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi?

Naim Preniqi: Stafi akademik i fakultetit MBE përbëhet nga profesorë me eksperiencë, që kanë përvojë të gjatë në arsim si dhe në industri. Shumica e stafit përbëhet nga profesorë doktorantë, apo në proces të përfundimit të studimeve të doktoratës (PhD candidates), me njohuri të gjera në fushën e ekonomisë. Në mënyrë që studentët të marrin pak edhe nga fryma perëndimore, disa nga profesorët e lëndëve të disa specializimeve, si në nivelin Bachelor ashtu edhe në atë Master, vijnë nga shtetet perëndimore, nga universitete me të cilat ne jemi partnerë në fushën e Akademisë. Profesorët nga Gjermania, Austria, Hungaria e SHBA-të vijnë si profesorë vizitues gjatë semestrave të rregullt si dhe gjatë akademisë verore, që organizohet nga të gjitha fakultetet e UBT përkatësisht. Përveç profesorëve ndërkombëtar, në MBE ligjërojnë profesorë vendorë që vijnë nga industria, të cilët më së miri lidhin të mësuarit teorik me praktikën. Për shkak të raporteve të tyre të mira me njerëz nga industria, shpeshherë kemi ligjërata edhe nga folës mysafirë (menaxherë, ndërmarrës apo financierë të suksesshëm) që ju japin këshilla dhe dije nga përvoja e tyre edhe studentëve të MBE-së.
Studentët e MBE-së kanë mundësi që gjatë studimeve të tyre të fitojnë edhe njohuri shtesë si dhe trajnime që ofrohen nga UBT. Falë partneritetit që UBT ka me Shoqatën e Kontabilistëve të certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SCAAK), niveli i parë (njëvjeçar) i këtij trajnimi ofrohet pa pagesë për studentët e MBE-së. Trajnimi ofrohet për të gjithë studentët e MBE-së, mirëpo është specifikisht i destinuar për studentët e fushës së Financave dhe Kontabilitetit. Krahas SCAAK-ut, studentët mund të certifikohen edhe duke ndjekur trajnimet për IPMA, që lidhen kryesisht me studentët e interesuar për fushën e menaxhimit të projekteve.
Studentët të cilët tregojnë përkushtim dhe angazhim gjatë studimeve, nuk mbesin pa u vërejtur nga stafi akademik i fakultetit tonë. Fillimisht me anë të praktikave dhe pastaj me anë të angazhimit të tyre të plotë, shumë studentë të dalluar kanë arritur të punësohen në UBT, ku aktualisht studentët e diplomuar në fakultetin MBE paraqesin përqindje mjaft të madhe të të punësuarve në UBT. Përveç mundësisë së punësimit në institucion, studentët janë gjatë gjithë kohës të informuar nga fakulteti dhe qendra e karrierës për mundësitë e ndryshme për praktikë/punësim në industri, andaj shumë nga studentët tanë duke shfrytëzuar këto mundësi, tashmë janë të punësuar.

Media Grupi: Pse studentët, sipas jush, duhet të transferohen në UBT, saktësisht në fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi?

Naim Preniqi: Me anë të partneriteteve që UBT ka krijuar ndër vite me universitete prestigjioze ndërkombëtare, shumë nga studentët e diplomuar në MBE kanë shfrytëzuar mundësinë e vazhdimit të studimeve jashtë vendit dhe tashmë kontributin e tyre nga ana akademike, e dhënë në fakultetin MBE, si ligjërues të rregullt apo të angazhuar.

Marrë parasysh kërkesën e vazhdueshme për ekspertë nga nënfusha të ndryshme të fushës së Ekonomisë, Fakulteti MBE vazhdon të jetë njëri nga destinacionet më të dëshiruara nga studentët në UBT. Krahas ndihmës akademike nga ana e stafit të angazhuar në mësimdhënie, studentët mund të shfrytëzojnë edhe të gjitha mundësitë që ofron fakulteti ynë, këshillimin dhe ndihmën e vazhdueshme nga stafi i fakultetit MBE, si tutorime, ushtrime si dhe udhëzime për karrierë. Misioni ynë është ruajtja e cilësisë, andaj me angazhimin tonë të vazhdueshme, synojmë që t’i nxisim studentët seriozë të ecin përpara dhe të avancohen në karrierë.