Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë ndajnë dijen në Akademinë Verore të Fakultetit të Stomatologjisë në UBT

08/07/2025

Në ambientet moderne të Bibliotekës Qendrore të UBT-së në Kampusin e Lipjanit, më 7 dhe 8 korrik 2025 u zhvillua me sukses Akademia Verore e Fakultetit të Stomatologjisë, si pjesë e ngjarjes më të madhe akademike dhe shkencore në vend – Global UBT Fest 2025.

Ky aktivitet shërbeu si platformë ndërkombëtare për shkëmbim profesional, hulumtim shkencor, dhe inovacione teknologjike në stomatologji, duke mbledhur një numër të madh të folësve ndërkombëtarë, ekspertëve vendorë, studentëve, dhe profesionistëve të shëndetësisë orale.

Dita e parë nisi me fjalët përshëndetëse nga Prof. Dr. Agim Prokshaj, i cili theksoi përkushtimin e UBT-së për t’i sjellë studentëve dhe profesionistëve stomatologjinë e së ardhmes – duke integruar inteligjencën artificiale, teknologjitë digjitale dhe protokollet më të avancuara terapeutike.

Pas fjalimeve hyrëse, vijuan prezantimet nga folës ndërkombëtarë:

  • Dr. Mohamed Nasreddine (Beirut) – për rolin e AI në diagnostikim
  • Dr. Budima Pejkovska (Shkup) – analiza funksionale e overdentures
  • Dr. Marjan Petkov (Shkup) – protokollet moderne në rehabilitimin protetik digjital
  • Dr. Alban Olluri – trajtim mbi osteonekrozën e nofullës
  • Dr. Aneta Mijoska – AI në stomatologji si asistencë, jo zëvendësim
  • Thomas Garrod-Pullar (Amsterdam) – sfidat në qasjen në kujdes dentar për viktimat e dhunës seksuale në konflikte

Pas një pauze për drekë, folësit vendorë dhe rajonalë sollën prezantime me theks në praktikën klinike:

  • Dr. Fitim Shabani – përdorimi i mikroskopit dentar
  • Dr. Behar Ismajli – infeksionet në regjionin maksilofacial
  • Arlind Celina – prezantim për MiYO Liquid Ceramic
  • Dr. Albert Syla – krahasim mes implantëve monofazikë dhe bifazikë
  • Dr. Yllka Gashi – prezantim për kompozitet dentarë restaurativë
  • Dr. Nart Ajeti – roli i PRP në shërimin e indeve të buta dhe rigjenerimin e kockave

Dita e dytë ishte e dedikuar prezantimeve studentore, ku mbi 20 punime nga studentët u shpalosën përpara një paneli akademik dhe profesional. Temat varionin nga:

  • ndikimi i ortodoncisë në vetëbesim dhe psikologjinë e buzëqeshjes,
  • inteligjenca artificiale në stomatologji,
  • zhvillimet në protezat maksilofaciale,
  • përdorimi i printimit 3D për alignerë ortodontikë,
  • trajtimi i dhëmbëve përmes ndërhyrjeve gjenetike,
  • evolucioni i perceptimit estetik dhe përdorimi i softuerëve të “smile design”.

Kjo pjesëmarrje e gjerë studentore u përmbyll me diskutime të hapura dhe “Round Tables”, që ofruan reflektim dhe rrugë konkrete për avancimin e kërkimit dhe inovacionit në stomatologji.

Akademia Verore e Stomatologjisë në UBT dëshmoi edhe një herë angazhimin e institucionit për të ofruar edukim cilësor, të përditësuar dhe ndërkombëtar për gjeneratat e reja të profesionistëve të shëndetit oral, duke forcuar lidhjen midis dijes, teknologjisë dhe praktikës klinike.