
Ekipi përfaqësues i Kosovës gati për sfidën ndërkombëtare në Panama
16/10/2025Ekipi përfaqësues i Kosovës ka filluar përgatitjet për garën ndërkombëtare më të madhe të robotikës, First Global Challenge, që do të mbahet këtë muaj në Panama. Për disa muaj, ata kanë punuar intensivisht në laboratorët e mekatronikës në UBT për të përfaqësuar Kosovën në këtë kompeticion prestigjioz.
Përmes mbështetjes së UBT-së, Kosova do të jetë pjesë e një gare me mbi 180 shtete nga e gjithë bota. Ky ekip i pasionuar, i përbërë nga të rinj të talentuar në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, do të testojë aftësitë e tij në fushën e robotikës.
Mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, tregon se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se ekipi ka ndërtuar robotin inovativ që do të prezantohet në First Global Challenge 2025.
“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë garë ndërkombëtare është një ndjenjë e jashtëzakonshme. Të shohësh vendin tënd të përfaqësuar në një event kaq të madh është një moment krenarie, dhe tani që jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve, po e shijojmë çdo hap të këtij udhëtimi emocionues,” tha Elita Hajrizi, mentore e ekipit.
Tema e këtij viti do të fokusohet në zhvillimin e zgjidhjeve për ruajtjen e ekuilibrit të biodiversitetit dhe për luftimin e ndryshimeve klimatike, duke kontribuar kështu në përpjekjet globale për mbrojtjen e mjedisit.
Për më tepër, UBT është vlerësuar me medalje të artë për kontributin e tij në First Global Challenge, si dhe për mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë) në të gjithë botën.