
Ceremonia e parë e certifikimit për Startup School: Një model i ri edukimi në Kosovë
30/04/2025Me një ceremoni solemne, u shënua një moment historik në sistemin arsimor dhe ekonomik të Kosovës: për herë të parë, në vend po pilotohet një program i strukturuar për zhvillimin e ndërmarrësisë tek nxënësit e shkollave të mesme. Programi “UBT Startup School”, i konceptuar si një shkollë praktike e ndërmarrësisë, sjell një qasje të re, inovative dhe ndërdisiplinare në edukimin e të rinjve, me synim ndërtimin e kapaciteteve të tyre për të menduar si ndërmarrës, për të zhvilluar ide dhe për të filluar startup-e të qëndrueshme.
Ky program është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes UBT, Quality Kosova dhe partnerit strategjik GIZ, dhe u pilotua me sukses për herë të parë në Kosovës. Ngjarja e sotme shënoi ceremoninë e parë zyrtare të shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit, duke vërtetuar se trajnimi i ndërmarrësisë në këtë nivel është i realizueshëm, i nevojshëm dhe jashtëzakonisht i mirëpritur nga nxënësit dhe komuniteti i biznesit.
Ceremonia nisi me fjalën përshëndetëse të Dr. Besnik Skenderi, i cili theksoi rëndësinë e kësaj nisme si një gurthemel për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në dije, krijimtari dhe vetëpunësim.
Më pas, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, President i Quality Kosova dhe Rektor i UBT-së, u ndal në rëndësinë që ka përgatitja e të rinjve për sfidat e ekonomisë moderne:
“Me këtë program po sjellim një model të ri arsimor në Kosovë. Nxënësit nuk janë vetëm përfitues të njohurive teorike, por pjesëmarrës aktivë në ndërtimin e zgjidhjeve reale, të bazuara në inovacion dhe logjikë biznesi. Kjo është ndërmarrësia e së ardhmes që ne duam të ndërtojmë që sot”, tha Rektori Hajrizi.
Përfaqësuesi i GIZ, z. Hans-Juergen Cassens, në fjalën e tij përgëzoi organizatorët për guximin për të eksperimentuar me një model të ri edukativ dhe shprehu mbështetjen e GIZ-it për projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit përmes fuqizimit të rinisë dhe nxitjes së inovacionit.
Pjesa kryesore e ngjarjes ishte ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për nxënësit dhe bizneset që morën pjesë në nivelin e parë të trajnimit. Programi ka përfshirë një përmbajtje të pasur praktike: nga ideimi i produkteve, deri tek ndërtimi i planeve të biznesit dhe njohuritë bazë mbi menaxhimin financiar, marketingun digjital dhe dizajnimin e modeleve të qëndrueshme të startup-eve.
Kjo është hera e parë që një program i tillë u zbatuan në mënyrë të organizuar për nxënës të shkollave të mesme në Kosovë, çka e bën këtë një moment të rëndësishëm për politikbërjen në arsim dhe ekonomi.
\