Aktivitete të shumta karakterizuan Akademinë Verore të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT

24/07/2023

Akademia Verore e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT ka përfunduar suksesshëm të gjitha aktivitetet e edicionit të sivjetshëm në kuadër të Global UBT Fest 2023.

Në kuadër të ditëve të Akademisë Verore të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, Prof. Dr. Zhilbert Tafa ka mbajtur një ligjëratë me pjesëmarrësit e akademisë verore, ku si tematikë është shtjelluar “Sistemet e komunikimit për kirurgjinë robotike në distancë”.

Kirurgjia robotike në distancë mundëson aplikimin e ekspertizës kirurgjike duke u mbështetur në kontrollin e robotëve nga largësia. Ajo është posaçërisht e rëndësishme për zonat rurale, aplikacionet ushtarake dhe aftësimin e kirurgëve të rinj. Edhe pse si ide daton që nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, për shkak të kufizimeve teknologjike, aplikohet vetëm në disa vende të botës, sikurse në Japoni.

Në këtë Akademi Verore u prezantuan aspektet më të rëndësishme teknologjike të kirurgjisë robotike në distancë dhe u shtjelluan kufizimet dhe sfidat për aplikimin e saj të gjerë.

Studentët të cilët kanë ndjekur nën-akademinë apo pakon “Zhvillimi i Aplikacioneve Mobile” kanë prezantuar projektet që ata i kanë realizuar, teksa ligjërues për zhvillim të aplikacioneve mobile ishte prof. Erzen Talla.

Projektet apo aplikacionet janë zhvilluar për platformën android nga studentët duke përdorur teknologjitë: JAVA dhe Kotlin, ndërsa si Editor është përdorur Android Studio.