Një nga çështjet me rëndësi të madhe në UBT është ofrimi i mundësive të barabarta për studime cilësore. Shërbimet dhe infrastruktura e institucionit ka qenë e përqendruar tek studenti dhe ka për qëllim plotësimin e nevojave bashkëkohore të studentit. Të dy, personeli akademik dhe ai administrativ, janë përgjegjës për të ndihmuar, shërbyer dhe udhëzuar, për çështjet e administratës akademike dhe studentore. Rezultatet e të nxënit të programit, realizohen nga metodat e mësimdhënies, mësimnxënies dhe vlerësimit. Një larmi metodash mësimore, të përdorura nga të gjitha departamentet, ofrojnë mundësi për mësimnxënie aktive. Këto përfshijnë: punë në projekte, punë praktike prodhuese dhe eksperimentale, mësim të bazuar në problem dhe mësim të simuluar. Mundësitë për mësim ndërveprues, forcohen përmes të nxënit, bazuar në projekte, analiza të studimit të rasteve, folësve vizitorë, punës në grup dhe mësimit elektronik, sidomos tani me lansimin e Eon Reality, ku studentët mund të shohin linjat prodhuese në formën 3D. Përdorimi i këtyre metodave të mësimdhënies, mundësohet nga një raport i favorshëm staf-student.
Metodat e studimit dhe kërkesat për përfundimin e lëndës, gjithmonë do të specifikohen në planprogramin e lëndës, të disponueshëm për studentët, para fillimit të lëndës. Secila lëndë ka një planprogram të detajuar, i cili është më i detajuar se sa një program lënde dhe përshkruan temat që duhet të mbulohen gjatë lëndës, përmbajtjen e lëndës për çdo javë, organizimin e punës, kërkesat për seminar dhe punën individuale, jep një listë për lexim të kërkuar dhe të rekomanduar, grupet e pjesëmarrjes dhe rregullat specifike të vlerësimit. Metodat e studimit të aplikuara në lëndë hyrëse, u kushtojnë kujdes të veçantë ligjëratave, punës individuale laboratorike, punës ekipore dhe diskutimeve. Puna individuale është shpesh një detyrë e gjerë leximi ose shkrimi. Modulet janë kryesisht të orientuara në praktikë dhe zakonisht organizohen si lëndë me bazë laboratorike që kanë një pjesëmarrje aktive në detyra praktike dhe punë ekipore, duke përfshirë të dyjat, si detyra krijuese ashtu edhe ato kërkimore. Puna individuale është zakonisht hulumtim, analizë, testim ose përfundim i një detyre ose projekti, të filluar gjatë lëndës.