Në UBT u organizua ligjëratë ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit – Jeta/Vita

bool(false) 25/10/2022

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u organizua një ligjëratë tematike e ndërmarrë nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit – Jeta/Vita, për të informuar dhe vetëdijesuar studentët rreth kancerit të gjirit, si dhe përçimin e mesazhit te të afërmit e tyre.

 

Dekani i Shkencave Mjekësore në UBT, Dr. Fitim Alidema, duke falënderuar udhëheqësinë e kësaj qendre, ka ritheksuar rëndësinë e ligjëratave ndërgjegjësuese për një sëmundje si kanceri i gjirit, i cili çelësin e suksesit e ka pikërisht te zbulimi i hershëm.

 

“Është shumë e rëndësishme trajtimi i temave të tilla, si dhe realizimi i ligjëratave ndërgjegjësuese, sepse është gurthemel për shoqërinë tonë informimi dhe vetëdijesimi për sëmundjen e kancerit të gjirit, dhe zbulimi i hershëm i kësaj sëmundje bën që të shpëtojmë më shumë jetë”, ka thënë Alidema.

 

Themeluesja e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit – Jeta/Vita, Nafije Latifi, ndau me studentët përvojën e saj, e cila ishte nxitja e parë për tu gjendur më afër grave, që kalojnë nëpër trajtimin e kancerit të gjirit, duke bërë apel për kontrolle të shpeshta, për informim dhe përkujdes të shëndetit.

 

Në ligjëratën e zhvilluar në UBT, profesoresha dhe onkologjia Emine Devolli – Disha vuri theksin te rëndësia që ka informimi për kancerin e gjirit, vëmendja që duhet t’i kushtojnë të gjithë ndryshimeve që mund të pësohen me kalimin e kohës, duke prezantuar faktorët e rrezikut.

 

“Nuk duhet të neglizhojmë asnjë ndryshim që mund të shohim te gjinjtë dhe duhet të drejtohemi te mjeku menjëherë. Madje unë iu bëj apel vajzave dhe grave që të vetkontrollohen, të bëjnë ultrazë dhe mamografinë rregullisht që kanceri i gjirit të zbulohet sa më herët” theksoi Devolli –  Disha.

 

Organizimi i ligjëratave të tilla me karakter vetëdijesues dhe ndërgjegjësues nga programet e Shkencave Mjekësore në UBT, u ndihmon studentëve të drejtimeve mjekësore, por edhe të tjerëve, të thellojnë njohuritë për sëmundjet e tilla.