Në UBT po zhvillohen sesione rreth teknologjisë, kulturës dhe stabilitetit ndërkombëtar në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare “TECIS 2022”

bool(false) 27/10/2022

Në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare “IFAC Conference on Technology, Culture and International Stability”, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, po zhvillohen disa sesione të cilat ngërthejnë në vete trajtimin e temave me rëndësi, në theks të veçantë rreth teknologjisë, kulturës dhe stabilitetit ndërkombëtar.

 

Hapjen e sesioneve të kësaj konference e bëri rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili shpalosi ide rreth temës “UBT Smart Sustainable System”, duke treguar edhe mbi të arriturat e UBT-së në kuadër të zhvillimit të sistemit të qëndrueshëm.

 

Në kuadër të sesioneve të tjera, prezantoi edhe profesori nga Instituti i Teknologjisë “Waterford”, Larry Stapleton i cili foli rreth transformimit të tregjeve të energjisë, si dhe analizës së gjendjes së artit dhe tendencave të së ardhmes.

 

Ndër të tjera, sesionet përfshin edhe diskutime mbi temën: “Rrjetet sociale, etika inxhinierike, barazia, diversiteti dhe përfshirja, teknologjia e re për mjedisin”, si dhe rreth matjeve të zhurmës së turbinave me erë për prodhimin e energjisë elektrike në Parkun e Shalës.

 

“Dallimi midis kurseve të matematikës në internet dhe atyre në vend në arsimin e lartë”, “Personalizimi Etik dhe Sistemet e Kontrollit për Aplikacionet 5.0 të industrisë inteligjente me në qendër njeriun”, “Krijimi i Ekosistemit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (Rezistenca)”, si dhe “Një pasqyrë mbi të drejtat e njeriut në vendin e punës inxhinierike dhe arsimin”, ishin edhe disa tema të tjera të cilat u trajtuan nga profesorë të UBT-së dhe profesorë ndërkombëtarë, pjesëmarrës në këtë konferencë.

 

Sesionet e kësaj konference po vazhdojnë të zhvillohen në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, duke përfshirë shqyrtimin e stabilitetit të sistemit ndërkombëtar në saje të zhvillimit të teknologjisë dhe ndryshimeve dramatike të këtij sistemi.