
Stafi dhe studentët e UBT-së pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në RTK
12/11/2025Fakulteti i Arteve, respektivisht Departamenti i Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit në UBT, shënoi edhe një sukses të rëndësishëm përmes pjesëmarrjes aktive të stafit dhe studentëve të tij në Festivalin e Këngës në RTK.
Në këtë aktivitet të madh kulturor, ku muzika shqiptare bashkoi emra të njohur të skenës me artistë të rinj, përfaqësuesit e UBT-së dhanë një kontribut të veçantë në rolet kryesore të festivalit.
Profesor Xhevdet Gashi, kompozitor dhe pedagog në Fakultetin e Arteve – Departamenti i Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit, ishte kryetar i jurisë në të tri netët e festivalit, duke sjellë përvojën e tij artistike dhe akademike në vlerësimin e interpretimeve muzikore.
Lindita Isufi, dirigjente dhe pedagoge në të njëjtin departament, udhëhoqi Orkestrën e RTK-së gjatë tri netëve të festivalit, duke dhënë një performancë profesionale që u vlerësua lart nga publiku dhe organizatorët.
Këngëtarja dhe profesorja Adelina Thaçi mori pjesë si mysafire speciale, duke e pasuruar festivalin me interpretimin e saj artistik.
Urim Maliqi, pjesë e stafit të Fakultetit të Arteve, ishte bashkëpunëtor muzikor në këngën “A po m’sheh” të artistes Elmedina Ramushi, duke dhënë një kontribut të vlefshëm në përgatitjen dhe realizimin artistik të interpretimit.
Në skenë u shfaq edhe prania e studentëve të talentuar të UBT-së: pesë prej tyre — Elona Alshiqi, Leon Shehu dhe anëtarë të tjerë të korit “Separatum” — ishin pjesë e interpretimit koral, duke përfaqësuar me dinjitet gjeneratën e re të artistëve të përgatitur në UBT.
Gjithashtu, studenti i programit Master, Shqiprim Isufi, ka qenë orkestrues i këngës së këngëtarit Florent Abrashi, e cila fitoi çmimin e dytë në festival — një arritje që reflekton cilësinë profesionale të studimeve dhe praktikës muzikore në UBT.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe ish-studentë të Fakultetit të Arteve që tashmë po afirmohen në skenën muzikore: Lis Boshtrakaj, si kompozitor, dhe Dea Berisha, si interpretuese, të cilët dëshmuan nivelin profesional dhe artistik që kultivohet në institucionin tonë.
Ky bashkëpunim i frytshëm mes UBT-së dhe RTK-së dëshmon se institucioni është bërë një qendër e rëndësishme krijimtarie, edukimi dhe prodhimi artistik në Kosovë, duke ndërtuar ura midis arsimit të lartë dhe industrisë kulturore.
![]()
![]()