UBT-CERT, pjesëmarrës në garën “Balkan Hackathon”, në Bullgari 

28/06/2018

Ekipi i UBT-CERT, i përfaqësuar nga rektori, prof. dr Edmond Hajrizi, Blent Kurtalani, Betim Gashi, Blerona Cakolli  dhe Edi Bushati, po marrin pjesë në garën “Balkan Hackathon”, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

 

Ky aktivitet organizohet nga Sofia Development Association, nën patronazhin e Komisionieres Evropian për Ekonomi Digjitale dhe Shoqëri, njëherësh ministre e Presidencës Bullgare në Këshillin Evropian, Mariya Gabriel.

Gara Balkan Hackathon është sfidë ku përgjatë 24 orëve mirëpriten ekipet e ndryshme të përbërë nga zhvillues, dizajnerë, studentë dhe profesionistë të TIK-ut nga të gjitha vendet e Ballkanit, për të prezantuar projektet e tyre.

Sfida kryesore e garës Balkan Hackathon Digital Divide në të gjitha format lidhet me sigurinë, qasjen në internet nga pajisjet e ndryshme, e-shërbimet, femrat në TIK, etj.

Në fund të garës, një juri e përbërë nga personalitete të shtetit bullgar dhe Bashkimi Evropian, do të vlerësojë sipas kritereve që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve, aplikueshmërinë në treg, vetë prezantimi – komunikimi.

Krahas shpërblimit me të holla, ekipi fitues do të ketë mundësinë e pjesëmarrjes në “Europe Code Week 2018”, aktivitet ky që do të mbahet në Bruksel, me ftesë nga Komisionerja e Bashkimit Evropian, Mariya Gabriel.