Rektori i UBT-së e përfaqëson Kosovën në kongresin më të madh për cilësi në Evropë

28/06/2018

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi ka marrë pjesë në edicionin e 62-të të kongresit më të madh të cilësisë në Evropë, që u mbajt në Paris të Francës, më 21-22 qershor.

Nën moton “Feel the new Quality way”, mbi 300 përfaqësues nga të gjitha vendet e botës, drejtues biznesi dhe profesionistë të kualifikuar nga Evropa dhe bota, paraqitën pikëpamjet e tyre mbi zhvillimet dhe menaxhimin e cilësisë në botë.

Në këtë kongres Kosova u përfaqësua nga organizata Quality Kosova, president i të cilës është rektori Hajrizi, i cili atje paraqiti sfidat dhe zhvillimet e fundit në fushën e menaxhimit të cilësisë në vendin tonë, teksa analizoi edhe zhvillimet e fundit që janë bërë në botë në këtë fushë.

Gjatë dy ditëve, përfaqësuesit e vendeve të Evropës dhe më gjerë kanë ndarë e zbuluar praktikat më të mira që mund të zbatohen në të ardhmen për menaxhimin e cilësisë.
Dy temat që janë favorizuar në këtë edicion janë: “Cilësia, aseti konkurrues për Evropë” dhe “Lideri i cilësisë, një rol kyç”.

Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën Evropiane të Cilësisë (The European Organization for Quality) në vitin 2009.