Fillon aktiviteti i Juridikut në ANV, ligjëron drejtori i Laboratorit Forenzik në Policinë e Kosovës, Blerim Olluri

18/07/2018

Fakulteti i Juridikut në UBT, ka filluar punimet me aktivitete e ligjërata në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore, ku përgjatë disa ditëve do të ligjërojnë ekspertë të fushës përkatëse, vendor e ndërkombëtar.

Hapjen e këtij aktiviteti e ka bërë ligjëron drejtori i Laboratorit Forenzik në Policinë e Kosovës, njëherësh ligjëruesi në UBT, Blerim Olluri, i cili ka ligjëruar temën “Përfshirja e provave shkencore në strategjinë e avokimit”.

Duke trajtuar këtë temë, Olluri ka diskutuar rreth provave materiale ku tha se mund të klasifikohen në dëshmitë direkte, dëshmi rrethanore dhe dëshmi të vërteta. Teksa, sipas tij, në këndvështrimin e shkencës së forenzikës dëshmitë kanë karakteristika klasore dhe individuale.

Po ashtu, ai ka folur rreth mbledhjes së provave materiale, ku tha se për mbledhjen e dëshmive, varësisht nga lloji, gjendja dhe kushtet në të cilën gjenden gjurmët, duhet të përdoren pajisje dhe teknikë e veçantë. Dëshmitë më të ndjeshme, sipas tij, janë gjurmët e gishtërinjve, pastaj gjurmët e gjakut dhe mikrogjurmët.

Nesër, prej orës 10:30, akademia e Juridikut do të pasurohet me ligjëratën e profesorit të UBT-së, Ismail Zejneli, i cili do të trajtojë temën: “Globalizimi dhe sfidat e reformimit të sistemit gjyqësor”.