Hulumtimi i tregut

Pas konfliktit të vitit 1999, prodhimi i brendshëm i energjisë nuk ishte në gjendje për të përmbushur kërkesën për energji elektrike në Kosovë. Kosova ka qenë një importues neto i energjisë elektrike në dekadën e fundit 2000-2010 - me rreth 10% të konsumit të energjisë elektrike të ardhur nga importi. Rreth 97 për qind e kapacitetit të prodhimit të energjisë gjendet në dy termocentrale qe operojnë me linjit. Energjia është identifikuar si prioritet kryesor kombëtar për Qeverinë dhe përqendrohet kryesisht në përgatitjen për investime private në zhvillimin e një termocentrali të ri, zhvillimin e një hidrocentralit të ri në Zhur, investime të mëdha në përmirësimin e sistemit të transmetimit të energjisë dhe zhvillimin e kornizës ligjore për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

 

Sfidat kryesore me të cilat përballet sektori i energjisë në Kosovë janë: zhvillimi i infrastrukturës se Energjisë Efiçiente, lehtësimi i investimeve në kohë në furnizimin me energji, zhvillimi i skemave inovative të financimit për investime kapitale dhe aplikimin e çmimeve të energjisë që reflektojnë koston. Përmirësimi i sigurisë dhe furnizimin me energji nënkupton, ndër të tjera, promovimin e diversitetit, efikasitetit dhe fleksibilitetit brenda sektorit. Sistemi i shpërndarjes ka nevojë për shuma të mëdha të investimeve kapitale për të minimizuar humbjet ekzistuese në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Përveç kësaj, institucionet e Kosovës kanë qenë të ngadalshme në liberalizimin e sektorit të energjisë.


Strategjia për energji e Kosovës gjithashtu e njeh potencialin për zhvillimin e energjisë së rinovueshme. Qëllimi është krijimi i një ambienti miqësor për investime private në sektor, që fokusohet në hidrocentrale, energji të erës, energji gjeotermike, biomasë dhe gazë nga përpunimi i mbetjeve urbane dhe rurale. Rreth 3% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë është përfituar nga burime të rinovueshme të energjisë. Megjithatë, potenciali për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme konsiderohet si i lartë, veçanërisht në prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes nga biogazi, biomasa dhe energjia diellore, prodhimin hidroenergjitik nga impiantet e vogla dhe prodhimin e energjisë nga era. Qeveria është angazhuar për të punuar drejt arritjes së caqeve të përcaktuara në Direktivat e BE-së për shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.


Niveli aktual i efikasitetit të energjisë në Kosovë është i ulët, dhe është krejtësisht realiste të synojë një rritje prej 20% në efiçencën e energjisë deri në vitin 2020. Termocentrali "Kosova e Re" do të rezultojë me një rritje të efikasitetit energjetik në prodhim prej gati 5%, si rezultat i teknologjive moderne të përdorura në impiant, krahasuar me TC Kosova A dhe TC Kosova B. Potenciali më i lartë për përmirësimin e efiçencës së energjisë është në prodhimin e ngrohjes dhe energjisë elektrike, ku efikasiteti aktual i përdorimi është shumë nën nivelin e përcaktuar me direktivat përkatëse të BE-së dhe standardet aktuale teknologjike në BE për furrat dhe pajisjet e vogla të ngrohjes. Për pajisje shtëpiake ekziston një mundësi për të rritur mesataren e efiçencës së energjisë për deri në 100%, kurse prodhimi i tanishëm i energjisë termike mund të përmirësohet për deri në 40% me teknologjitë e reja të prodhimit me djegie linjiti. Përmirësime të mëtejshme mund të arrihet duke futur bashkë-prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes.

 

Si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE), Kosova është anëtare e Task Forcës së TKE për Efiçiencë të Energjisë (TF EE). Nën udhëheqjen e TF EE, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka zhvilluar Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë (PKVEE). Ligji për Efiçiencën e Energjisë, Nr 04/L-016, 22.07.2011, parashikon krijimin e Agjencisë për Efiçiencën e Energjisë. Objektivi i Kosovës është arritja e objektivit të caktuar prej 9% të kursimit të energjisë deri në fund të vitit 2018.

 

Sipas një studimi të Bankës Botërore, aplikimi i materialeve izoluese dhe dritareve me xham të dyfishtë do të sjellë një reduktim të konsumit të energjisë për ngrohje deri në rreth 35% në ekonomitë individuale familjare. Në nivel vendi, kjo do të sillte kursime të mundshme të ngrohjes prej 500-600 GWh/vit, rreth 12-14% të kërkesës aktuale për ngrohje. Tri projektet më premtuese të kursimit të energjisë të identifikuara nga studimi i Bankës Botërore për Tregun e Ngrohjes janë: (1) Dritare të reja për 65% të spitaleve dhe qendrave të kujdesit shëndetësor; (2) Dritare të reja për 85% të shkollave; dhe (3) Dritare të reja për 10% të ndërtesave të banimit me më shumë se tre kate (të ndërtuara ndërmjet viteve 1960 dhe 1998).


Sfidat kryesore në efiçencën e energjisë në Kosovë janë:  korniza jo e plotë ligjore dhe rregullative për promovimin e efiçiencës së energjisë, nevoja për funksionalizimin e strukturës institucionale të Agjencisë për Efiçiencën e Energjisë, mungesa e sistemeve gjithëpërfshirëse të të dhënave - krijimi i sistemeve të grumbullimit dhe raportimit të të dhënave të energjisë në përputhje me ato të EUROSTAT-it është një kërkesë për pranim në BE,  mungesa e stimulimeve - Stimulimet mund të ndihmojnë në tejkalimin e pengesave për hyrje në treg, për shembull, me anë të programeve të veçanta duke ofruar mbështetje financiare apo teknike, apo edhe lirimet e përkohshme nga procedurat standarde administrative, mungesa e vetëdijes publike dhe mungesa e arsimimit dhe njohurive profesionale.

Lajme