Certifikim ndërkombëtar për menaxhimin e projekteve

Certifikim ndërkombëtar për menaxhimin e projekteve

Prishtinë, 25 mars. - Në kuadër të ligjëratave tematike dhe bashkëbisedimeve me qytetarë, që po mbahen në UBT, të martën u mbajt Sesioni Informativ për procesin dhe benefitet e certifikimit. 

 

Qëllimi i takimit ishte njoftimi për certifikime ndërkombëtare për menaxhimin e projekteve sipas standardeve të organizatës ndërkombëtare me bazë në Zvicër IPMA (International Project Management Association). 

 

Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi e hapi këtë takim, duke i falënderuar të pranishmit, të cilët edhe kësaj radhe ishin të shumtë. Ai foli për rëndësinë që Kosova ka në menaxhime të projektit si dhe mundësitë që i janë ofruar vendit për këtë fushë.

 

“Kosova ka të drejta të barabarta, njësoj sikur çdo vend tjetër në botë, edhe sikur Gjermania, Amerika, Anglia, Australia, Holanda dhe fati jonë i mirë është që të gjitha kriteret e njëjta, përmbajtje dhe informacione të njëjta janë edhe në gjuhën shqipe, pra nuk ka nevojë në gjuhë të tjera. Është një lehtësim më i madh”, tha z. Hajrizi.

 

Ai shtoi se është i interesuar që bashkarisht shoqërinë ta ngrisin në nivelin më të lartë profesional të menaxhimit të projektit. Sipas tij njerëzit në përgjithësi nuk i njohin projektet, ose njohin disa segmente të projektit por jo edhe tërësinë dhe në këtë mënyrë kanë të bëjnë me josukses, me humbje dhe njëra nga efektet është që ta ngrisim vetëdijen dhe kompetencën në menaxhimin e projekteve. 

 

Janë dy fusha në të cilat ky program u ofron studentëve dhe të gjithë të interesuarve: Informimi, trajnimi & ngritja e kapacitetit; Certifikimi.

 

Rektori i UBT-së u shpreh se objektivi i UBT-së është që certifikimi të mos jetë i shtrenjtë. Kjo do të thotë të kenë mundësi sa më shumë kandidatë të certifikohen dhe që të gjijhë të kenë sukses. 

 

“Ideja e kësaj është se ne duam që, me një çmim sa më të arsyeshëm, të arrijmë efektin e njëjtë sikur në vendet e tjera dhe e gjithë kjo bëhet për të arritur një vlerësim profesional dhe ju shërben si pjesë të karrierës”, theksoi ndër të tjera rektori Hajrizi.

 

Certifikimet janë të dy niveleve: 

 

Certifikimi në nivelin D – Personat që me sukses menaxhojnë dhe marrin pjesë në projekte. Niveli i parë i kompetencës, kjo bëhet me provim me gojë dhe me shkrim.

 

Certifikimi në nivelin C – Personat që, përveç provimit me shkrim dhe me gojë, u duhet edhe një prezantim i një dokumentimi të projektit që ai e ka punuar më herët dhe në fund merr një nivel më të lartë. 

 

Ka edhe certifikim për nivelin më të lartë, për ata që punojnë në menaxhimin e projekteve komplekse. Projekt kompleks quhet ai projekt që ka mbi 5 milionë euro buxhet.

Lajme