Rektori Hajrizi mori pjesë në takimin e thirrur nga ambasadorja Apostolova

 

Me ftesën e shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalie Apostolova, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi mori pjesë në takimin që kjo e fundit pati me rektorët e universiteteve të Kosovë, prej të cilëve, UBT ishte i vetmi institucion privat i arsimit të lartë që mori pjesë.


Temë bosht e takimit ishte “Politika më të qarta në avancimin e sistemit të arsimit në Kosovë”, teksa u diskutua mbi punën dhe të arriturat e institucioneve, për të ardhmen e arsimit në Kosovë, si dhe për prurjet dhe sfidat me të cilat po përballet ky sektor në vendin tonë.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi prezantoi të arriturat e UBT-së dhe sukseset e studentëve në arenën ndërkombëtare, teksa e siguroi ambasadoren Apostolova që UBT do të vazhdojë të kontribuojë edhe më tutje në përmirësimin e nivelit të arsimit në Kosovë.

“UBT është ambasadori dhe përfaqësuesi më i mirë i Kosovës në botë. Studentët tanë po marrin pjesë e po triumfojnë nëpër gara ndërkombëtare, përmes UBT-së po e afrojmë Kosovën me teknologjitë e inovacionet e fundit botërore, përmes nesh Kosova po bëhet pjesë e po përfaqësohet nëpër organizatat dhe forumet më të mëdha botërore që lidhen me sektorin e arsimit dhe me sektorë tjerë, si dhe përmes institucionit tonë tashmë janë të punësuar 98% e studentëve tanë”, theksoi ai.

 

Në anën tjetër, Apostolova premtoi që BE do të vazhdojë mbështetjen e BE-së për arsimin kosovar dhe bëri thirrje që në këtë proces të ndihmojnë edhe vetë institucionet e arsimit.

“Është e rëndësishme që të dëgjoj mendimet dhe idetë e përfaqësuesve të institucioneve, sepse edukimi është prioritet i BE-së dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë”, u shpreh ajo.

 

UBT ka ndihmuar në ndërkombëtarizimin e Kosovës falë pjesëmarrjes nëpër konferenca dhe organizime të tjera në botë, si dhe falë partneritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë  me rreth 300 institucione dhe organizata ndërkombëtare.

Lajme