Mungesë e inspektorëve dhe gjendje jo e mirë në sigurinë e punëtorëve të ndërtimit

 Mungesë e inspektorëve dhe gjendje jo e mirë në sigurinë e punëtorëve të ndërtimit

 

Në prani të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, ekspertëve, profesorëve dhe studentëve, në UBT, është mbajtur forumi me temë: “Mbrojtja, siguria dhe shëndeti në punë në sektorin e ndërtimit në Kosovë”, organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, në UBT.

Forumi është organizuar si rezultat i nivelit të ulët të sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë në sektorin e ndërtimit, ku si pasojë, vetëm gjatë vitit 2018 kanë humbur jetën 6 punëtorë dhe 33 të tjerë janë lënduar në vendin e punës.

Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, tha se është e vështirë monitorimi i gjendjes së sigurisë së punëtorëve të ndërtimit në Kosovë, pasi sipas tij, ka mungesë të inspektorëve në gjithë territorin e vendit.

Kadriu tha se në aspektin legjislativ, punëtorët në Kosovë mbrohen me Ligjin për Siguri në Punë, për Mbrojtjen e Shëndetit të të Punësuarve dhe Ambientin e Punës, andaj, sipas tij, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit.

“Duhet të punohet shumë, nëse harxhohen milionat për fushata elektorale është më mirë që të harxhohen në sensibilizimin e punëtorëve në punë, sepse kemi vdekje dhe lëndime dhe punëtorët mund të jenë familjarë tanë dhe t’i ruajmë njerëzit se janë njerëzit tanë”, ka thënë Kadriu.

Agim Mullaku, përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Përgjegjës për Punë dhe Siguri, bëri të ditur se në sektori i ndërtimtarisë identifikohet me numrin më të madh të aksidenteve të cilat ndodhin nga rënia e lartësisë.

Sipas tij, kompanitë duhet të investojnë në sigurinë në punë dhe të marrin masa për parandalimin e masave për rreziqet në punë.

“Punëtorët paraprakisht duhet të jenë të njohur me të gjitha burimet e mundshme potenciale që mund të rrezikojmë shëndetin në vendin e punës e këtu mund të jenë ngarkesa, mbajtëset, hapësira e pambuluar, koncentrimi etj”, tha Mullaku.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, në UBT, Muhamet Ahmeti tregoi se institucioni po punon që të përgatisë kuadro profesionale dhe të gatshme për punë.

Ai tha se në kuadër të plan programit të fakultetit zhvillohen lëndët për siguri dhe shëndet në punë, kjo me qëllim të evitimit të problemeve dhe rreziqeve në punë.

“Si fakultet së shpejti do të krijojmë një doracak ku atë do t’ua japim dhe do të jetë në dispozicion për çdo punëtor dhe për kompanitë ku ne të tregohen të gjitha pikat kyçe më të këqija ku e tregojnë më së miri rrezikun në punë”, beri të ditur Ahmeti.

Ndërsa, Safet Ymeri nga Qendra e Trajnimeve të KEK-ut, tha se në KEK janë zvogëluar dukshëm aksidentet dhe vdekjet në vendin e punës.

“Tani në kohën e fundit në 5 vitet e fundit nuk kemi pasur vdekje aksidentale dhe lëndimet e punëtorëve janë zvogëluar dukshëm”, tha Ymeri.

Në kuadër të këtij forumi janë prezantuar edhe hulumtimet: “Vlerësimi i mbrojtjes, sigurisë dhe shëndeti në punë në sektorin e ndërtimit”, prezantuar nga prof. Hazir Çadraku, dhe “Menaxhimi i shëndetit dhe sigurisë në Industrinë e Ndërtimit”, prezantuar nga prof. Driton Kryeziu.

 

 

 

 

Lajme