Më 25 maj, në UBT do të mbahet konferenca “Infrastrukturat Kritike të Informacionit dhe Mbrojtja e tyre – CIIP & GDPR”

 Më 25 maj, në UBT do të mbahet konferenca “Infrastrukturat Kritike të Informacionit dhe Mbrojtja e tyre – CIIP & GDPR”

 

Për nder të Javës së Shkencës dhe Teknologjisë së UBT-së, të premten, më 25 maj, në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, do të mbahet konferenca nacionale “Infrastrukturat Kritike të Informacionit dhe Mbrojtja e tyre – CIIP & GDPR”.
Në këtë kuptim, UBT Science & Technology Week është aktiviteti kryesor i vitit, i organizuar nga rektori i UBT-së, prof dr Edmond Hajrizi, për të promovuar shkencën në vend.

Konferenca do të organizohet në bashkëpunim me UBT-në, divizionin UBT-CERT dhe partnerët e UBT-së, për të diskutuar mbi rreziqet ndaj sektorëve, ndikimin që kanë në rritjen e vendeve të punës dhe do të bëhet prezantimi i punës së deritanishme të ekipit CERT dhe UBT-së, për Infrastrukturat Kritike të Informacionit dhe Mbrojtjen e tyre.

Gjatë kësaj ngjarje, për herë të parë do të lancohet “Komisioni i Ekspertëve të Kërkimit të Infrastrukturave Kritike të Informacionit” (Critical Information Infrastructures Expert Research Committee), i cili do të zhvillojë kërkime dhe studime në siguri kibernetike për mbrojtjen e këtyre infrastrukturave kritike të informacionit në nivel nacional të Republikës së Kosovës dhe rajonit.

UBT dhe UBT-CERT janë të angazhuar vazhdimisht për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë së qytetarëve nga kërcënimet e ndryshme që i bëhen në fushën e TIK-ut nëpër të gjithë sektorët. UBT dhe divizioni UBT-CERT janë të përkushtuar dhe kanë kompetencë që të japin kontributin e tyre dhe të udhëheqin procesin e identifikimit të sektorëve, definimit dhe implementimit të mekanizmave mbrojtës dhe parandalues e mbikëqyrjen në vazhdimësi të këtyre mekanizmave.

Lajme