Prodekani i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës vizitoi Universitetin e Perugjas në Itali

 Prodekani i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës vizitoi Universitetin e Perugjas në Itali

 

Prodekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, prof. dr Visar Krelani, ka vizituar Universitetin e Perugjas, në Itali, i cili është njëri ndër universitetet më të vjetra në botë, me përvojë akademike prej shtatë shekujsh.

 

Vizita është bërë me qëllim të zgjerimit të rrjetit të partnerëve ndërkombëtarë të UBT-së nëpër botë, përmes krijimit të një marrëveshjeje ndërmjet dy institucioneve, që në fokus do të ketë

shkëmbimin e studentëve, të stafit dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në kuadër të programit Erasmus+.

 

Me rastin e kësaj vizite, Krelani vizitoi Departamentin e Energjisë, ku u prit nga profesori Giorgio Baldinelli, i cili e njoftoi me interesat e përbashkëta në këtë fushë, me ç’rast për shkak të ngjashmërive të këtij rajoni dhe Kosovës, mund të aplikohen përvojat italiane të kësaj fushe në Kosovë. Nisur nga kjo, Krelani vizitoi edhe laboratorin e energjisë, i pajisur me pajisjet më moderne për testimin e materialeve.

 

Në vizitë e sipër, profesori  Baldinelli shprehu gatishmërinë që të bashkëpunojë me Fakultetin e Energjisë dhe me projektet evropiane, që të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve në këtë fushë në Kosovë.

 

Tutje, vizitë e një rëndësie të lartë për Fakultetin e Inxhinierisë Ndërtimore të UBT-së u realizua edhe në Departamentin e inxhinierisë së Ndërtimit dhe Ambientit, ku Krelani u prit nga përgjegjësi i këtij fakulteti, njëherësh edhe përgjegjës i hulumtimeve shkencore në këtë fushë, Marco Breccolotti.

 

Duke treguar sukseset dhe rritjen e vazhdueshme të fakulteteve që ata përfaqësojnë, të dy u pajtuan për rëndësinë dhe përfitimet që do të kishte bashkëpunimi ndërinstitucional.

I impresionuar me të arriturat e Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore e Infrastrukturës dhe në përgjithësi, UBT-së, Breccolotti shprehu gatishmërinë që të vizitojë UBT-në dhe të ligjërojë për studentët.

 

Gjatë kësaj vizite frytdhënëse, prodekani Krelani u takua edhe me studentët e doktoraturës, të cilët shpjeguan temat e hulumtimit me të cilat po merren. Me këtë rast, ai u takua edhe me PhD Cand. Alban Kita, i cili e shpjegoi hulumtimin e tij në monitorimin e aktivitetit sizmik që ndodh në qytetin e Perugjas, duke monitoruar në disa pika më të rëndësishme të kryeqytetit të rajonit të Umbiras, duke qenë se Perugja është e njohur për aktivitet sizmike konstante.

Së bashku, ata vizituan qendrën e monitorimit në një ndër kullat më të larta dhe më me vlerë historike të rëndësishme për Italinë, e quajtur “Torre degli Sciri”.

 

Edhe Kita u ftua po ashtu që të bëjë një vizitë në Kosovë dhe prezantojë hulumtimet e fundit në këtë fushë. Ai shprehu gatishmërinë që të ndihmojë studentët kosovarë që të mund të vizitojnë Perugjan dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në kuadër të projekteve Erasmus+.

 

Lajme