Në UBT u mbajt ceremonia për shpërblimin e personaliteteve nga Presidenti Trump, Akademia Ndërkombëtare e Shkencave dhe Complutense University

 Në UBT u mbajt ceremonia për shpërblimin e personaliteteve nga Presidenti Trump, Akademia Ndërkombëtare e Shkencave dhe Complutense University

 

 

Në një ceremoni madhështore të mbajtur në UBT dhe në praninë e dhjetëra akademikëve e përfaqësueseve të institucioneve shtetërore, është bërë ndarja e çmimeve dhe mirënjohjeve për personalitete të shumta, në mesin e të cilëve edhe për disa profesorë të UBT-së, të cilët kanë dhënë kontribut në forma e fusha të ndryshme, për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe për zgjidhjen e problemeve me të cilët ata po përballen.


Në këtë ceremoni, nga Complutense University i Madridit dhe nga Akademia Ndërkombëtare e Shkencave Sociale, nga Palm Beach University në Florida, janë ndarë mirënjohje dhe çmime për personalitete që kanë dhënë kontribut të çmuar në nivel akademik.
Titulli "Akademik Nderi" është dhënë nga Akademia e Shkencave Sociale, ndërkaq ai "Profesor Nderi" është dhënë nga Complutense University i Madridit.
Këto çmime prestigjioze u janë ndarë rekorit të UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizit dhe akademikëve, Ilir Deda, Besnik Tahiri e Arben Sylejmani.

 

Për kontributin e saj të madh në sferën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe për vetëdijesimin e qytetarëve dhe institucioneve për probleme të shumta sociale, nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është shpërblyer me mirënjohje gazetarja shumëvjeçare, Ramize Murtezi – Shala.

 

Mirënjohjen për të, në emër të SHBA-ve, e ndau anëtari i Akademisë Ndërkombëtare, prof. dr Otto Fleingenblatt, i cili e vlerësoi kontributin e secilit personalitet që në forma të ndryshme ka ndihmuar në ngritjen e njohurive dhe të vetëdijes së qytetarëve për çështje jo shumë të trajtuara.
“Nuk ka asgjë më të mirë dhe më të kënaqshme sesa të nderosh ata të cilët punojnë me pasion për temat të cilat njerëzit nuk do të donin as t’i diskutonin”, u shpreh Fleingenblatt, duke shtuar se pikërisht këta njerëz janë zëri dhe shpëtimi i Kosovës.

 

Kjo është hera e dytë që ndahen tituj nderi nga universitete të njohura ndërkombëtare dhe nga Akademia Ndërkombëtare e Shkencave, ndërkaq hera e parë që UBT është nikoqire e një ngjarjeje të tillë kaq të rëndësishme.

 

 

Lajme