Rektori Hajrizi, pjesëmarrës në konferencën “Kosova 10 vjet shtet - Mësimet dhe pritjet”

 Rektori Hajrizi, pjesëmarrës në konferencën “Kosova 10 vjet shtet - Mësimet dhe pritjet”

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, mori pjesë në konferencën shkencore “Kosova 10 vjet shtet - Mësimet dhe pritjet”, të organizuar nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës.
Në të morën pjesë edhe një varg personalitetesh të tjera të shquara në fushën e arsimit, edukimit e shkencës nga vendi, rajoni dhe bota.

 

Ai paraqiti kumtesën e tij të titulluar: “Roli UBT-së në ndërkombëtarizimin e arsimit, shkencës teknologjisë së Kosovës, si dhe drejtoi panelin e prezantuesve, së bashku me akademikun Marenglen Verlin dhe prof. dr Ibrahim Gashi.

 

Me rastin e prezantimit të tij, Hajrizi tha se përmes UBT-së është munduar që të ofrojë kontribut në zhvillimin dhe përparimin e Kosovës në të gjitha fushat.
“Dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi që çuan në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në pranimin e vendit në shumë organizata të njohura, dërgimi i qindra studentëve për studime jashtë vendit, në një kohë kur qytetarët ende nuk mund të lëvizin lirshëm, punësimi i mijëra studentëve të tjerë brenda e jashtë UBT-së dhe përkrahja e tyre në hapjen e bizneseve të veta, bënë që institucioni ynë të jetë një ndër ndikuesit në ndërkombëtarizimin dhe përparimin e Kosovës, ndonëse me bindje të plotë them se rrugëtimi nuk ka përfunduar ende”, tha Hajrizi.

 

Konferenca trajtoi në mënyrë shumëdimensionale zhvillimet e një dekade lidhur me shtetndërtimin e Kosovës, e tërë kjo, përmes prezantimit të 27 punimeve shkencore nga pjesëmarrës, akademikë, studiues dhe punëtorë shkencorë nga të gjitha trevat shqiptare, nga fusha të ndryshme të shkencave humane dhe sociale.

Lajme