Studentët e Inxhinierisë Ndërtimore vizituan Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës

 Studentët e Inxhinierisë Ndërtimore vizituan Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës

 

 

Studentët e vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, në UBT, kanë realizuar vizitë studimore në Komunën e Prishtinës, respektivisht në Drejtorinë e Urbanizmit, si rrjedhojë e nevojës për t’i parë gjërat në aspektin praktik dhe për t’i ndërlidhur me teorinë e fituar gjatë studimeve në UBT.

 

Vizita është zhvilluar nën shoqërimin e ligjëruesit në UBT, PhD Cand. Driton Kryeziu, në kuadër të lëndës “Rregullativa e Ndërtimit dhe Standardet”, teksa atje janë pritur nga zyrtari i lartë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Zejnulla Rexhepi.


Ai para studentëve paraqiti një tablo mbi mënyrën e organizimit dhe hierarkinë institucionale në këtë drejtori, si dhe prezantoi në mënyrë të detajuar hapat që duhet ndjekur, që nga kontakti i parë i palës nga ana e investitorit dhe punonjësve të Drejtorisë së Urbanizmit, e deri tek përfundimi i procesit, p.sh marrja e një lejeje ndërtimore.


Në kuadër të kësaj vizite janë trajtuar edhe tema të tjera që kanë të bëjnë me parashtrimin e kërkesës për marrjen e kushteve ndërtimore, lejes ndërtimore, lejes për rrënim, kushteve për plotësim-ndryshim të projektit ndërtimor, aprovimi dhe afatet ligjore të lejes ndërtimore, si dhe tematika të tjera me rendësi.

 

Kjo vizitë është realizuar falë marrëdhënieve të mira ndërinstitucionale ndërmjet UBT-së, si institucioni i vetëm privat i arsimit të lartë në Kosovë që e ka të akredituar programin Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturë, dhe Komunës së Prishtinës, konkretisht Drejtorisë së Urbanizmit.

Lajme