Besarta Breznica e UBT-së, e angazhuar si gazetare në projektin “Vajzë, dëgjohu”

Studentja e vitit të tretë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, Besarta Breznica, tash e disa muaj është angazhuar në projektin e titulluar “Vajzë, dëgjohu”, në kuadër të të cilit po punon si gazetare për agjencinë e lajmeve “KosovaLive360”.

 

Duke e përshkruar rëndësinë e punës që aktualisht po e bën, studentja Breznica tha se po të mos studionte në UBT, dëshira për t’u bërë gazetare, për ta njohur kamerën e për ta bërë montimin e videove, do të mbetej vetëm ëndërr.


“Aktualisht po merrem me tema feministe dhe po shkruaj artikuj për komunitetin RAE në Kosovë, specifikisht po trajtoj tema të cilat në shoqërinë kosovare ende janë tabu dhe mbi të cilat janë ndërtuar stereotipet tash e sa kohë, si dhe bëj edhe montimin dhe editimin e videove që trajtojnë tema tjera sociale”, shpjegoi ajo.


Studimi në UBT, sipas saj, i ka ndihmuar shumë në përdorimin e mjeteve teknike dhe të njëjtin efekt e kanë edhe këshillat dhe ligjëratat profesionale të profesorëve të këtij institucioni.

 

Përpos angazhimit në agjencinë e lajmeve KosovaLive360, Breznica ka punuar për hulumtime në institutin “Gnosis” dhe ka kryer praktika të shumta profesionale në mediat vendore, falë profesorëve dhe Qendrës së Karrierës së UBT-së. Po ashtu, është edhe njëra nga menaxheret e faqes “Njerëz të Kosovës”, që është themeluar nga 4 studentë të UBT-së.

 

Sa i përket të ardhmes, ajo pohon se gazetaria do të jetë profesioni i saj i dytë pasi që synon që të merret me hulumtime.

Lajme