Nisi punimet Konferenca Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion

Nisi punimet Konferenca Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion

Sot ka nisur punimet Konferenca Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, që po organizohet për të gjashtin vit më radhë nga UBT.


Mbi 500 ekspertë nga 15 fusha të ndryshme studimi dhe mbi 300 punime shkencore që do të prezantohen përgjatë tri ditëve, po e pasurojnë konferencën e sivjetme të UBT-së, e cila po i zhvillon punimet në qytetin e Durrësit, në Shqipëri.


Në ditën e parë të kësaj konference, kanë filluar punimet katër fusha studimi, përfshirë Shkencat Kompjuterike dhe Inxhinieria, Arkitektura dhe Planifikimi Hapësinor, programi Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi dhe Shkencat Politike, ku po i prezantojnë punimet e tyre shkencore profesorë dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, të ndarë nëpër sesione.


Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, në hapje të kësaj ngjarje, tha se për UBT-në dhe Kosovën është shumë e rëndësishme që të mbahen konferencat e tilla shkencore, ku mblidhen njerëzit më kompetentë të fushave, për të na bërë të vetëdijshëm mbi inovacionet e fundit në botë dhe ndryshimet nëpër të cilat po kalon njerëzimi.


"Në ditët e sotme është shumë e rëndësishme që të jemi në të njëjtin hap me trendët botërorë të zhvillimit dhe të jemi indikatorë dhe zhvillues të inovacioneve edhe në vendin tonë", theksoi Hajrizi.


Qëllimi kryesor i kësaj ngjarje është që të bëjë të mundur shkëmbimin e njohurive dhe shkathtësive në mes hulumtuesve, profesorëve, studentëve të doktoraturës dhe ekspertëve të ndryshëm nga industria.

Lajme