Mbylli punimet Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në ANV, ndahen certifikata për pjesëmarrësit

Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT, ka përmbyllur suksesshëm punimet në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore, me ç’rast ligjëruan dhe ndanë përvojat e tyre profesorë vendorë e ndërkombëtarë.

 

Në ditën përmbyllëse të akademisë, ka ligjëruar gazetarja e njohur, njëherësh edhe profesoreshë në Fakultetin e Medias në UBT, PhD. Gjylie Rexha, e cila trajtoi temën: “Roli i mediave sociale në aktivizmin qytetar – Pranvera Arabe”, ku ka shtjelluar përdorimin e teknologjisë në përfshirjen qytetare, kryesisht në çështje me interes nacional.

 

Rexha ka përmendur rastet si “Pranvera Arabe”, që është karakterizuar me protesta në vende, si: Tunizia, Egjipti, Jemeni etj., kundër pushtetarëve totalitarë. Sipas saj, si rezultat i rrjeteve sociale, konsiderohet që me sukses janë komunikuar dhe bartur mesazhet për reagim qytetar.

 

Akademia ka vazhduar aktivitetin me ligjëratën e profesorit të Fakultetit  Media dhe Komunikim në UBT, prof. dr Ferid Selimi.

Ai ka trajtuar temën: “Ndikimi i gazetarisë së verifikimit në sigurinë rajonale dhe botërore”, në kuadër të së cilës ka ligjëroi mbi emërtimet gazetareske, vërtetësinë në gazetari, si dhe shpejtësinë e përhapjes së informacionit.

 

Në fund të këtij aktiviteti, studentët që morën pjesë në këtë akademi, në mënyrë të organizuar, bënë fotografi dhe i shfaqën ato në një ekspozitë.

Ekspozita ishte produkt e detyrës së dhënë pas punëtorisë që është zhvilluar paraprakisht për kamerë dhe fotografi, në kuadër të ANV-së.

 

Në përmbylljen e aktivitetit në fjalë, për kontributin dhe pjesëmarrjen e tyre në punimet e  Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në ANV, u ndanë certifikata për pjesëmarrësit.

Lajme