Përfaqësuesit e “Zombie Soap”, ligjërojnë për studentët e SHKI-së në ANV

Përfaqësuesit e “Zombie Soap”, ligjërojnë për studentët e SHKI-së në ANV

Përfaqësuesit e kompanisë “Zombie Soap”, drejtori ekzekutiv, Agon Avdimetaj, drejtoresha për lojëra në këtë kompani, Agnesa Belegu dhe zhvilluesit e lojërave, Endrit Xhemaili e Altin Maloku, ishin pjesë e Akademisë Ndërkombëtare Verore në Fakultetin e SHKI-së, me ç’rast ligjëruan për interface-in e Unity 3D, si dhe procesin e krijimit të lojërave në këtë softuer të dedikuar për zhvillimin e lojërave.

 

Drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie, Agon Avdimetaj, me rastin e prezantimit të punës që kryhet nga kompania e tyre, tha se në Kosovë mungojnë njerëzit e specializuar në fushën e krijimit të lojërave dhe se kompania e tyre ka nevojë për njerëz të rinj dhe kreativë.

“Industria e lojërave është interesante dhe ne jemi duke bashkëpunuar me zhvillues të lojërave n mbarë botën, për ta zhvilluar këtë industri edhe në Kosovë, por për këtë, ne kemi nevojë për të rinj kreativë, të cilët shpresojmë t’i gjejmë edhe në UBT”, u shpreh Avdimetaj.

 

Ai tregoi se kompania e tyre ka lansuar në treg lojën e tyre të parë, të quajtur “Captain 13”, e cila është zhvilluar nga pjesëtarët e kësaj kompanie dhe është e gatshme për shkarkim nga të interesuarit dhe pasionantët e lojërave.

 

Pjesëtarja tjetër e kompanisë “Zombie Soap”, njëherësh edhe ish-studente e UBT-së, Agnesa Belegu pohoi se aktualisht është rritur nevoja për njerëz me ide inovative dhe që e shtojnë komunitetin e zhvilluesve të lojërave, teksa shtoi se hapi i parë për t’u bërë profesionistë në këtë fushë, është përmes shikimit të tutorialeve.

 

“Mënyra për të përmirësuar veten dhe për t’i shërbyer komunitetit të zhvilluesve të lojërave, është përmes tutorialeve, nga të cilat mësohet se si funksionojnë dhe shfrytëzohen programet e ndryshme për realizim të lojërave”, theksoi Belegu.

 

Anëtarët tjerë të kompanisë, Endrit Xhemaili dhe Altin Maloku, sqaruan për pjesëmarrësit e akademisë hapat elementarë që duhet ndërmarrë për realizimin e një loje të thjeshtë, teksa sqaruan në mënyrë teorike mënyrën e punës në grup, ndarjen e përgjegjësive, kryerjen e testeve dhe prototipeve etj., punë këto që do të kryhen në mënyrë praktike gjatë punëtorisë, e cila do të mbahet për pjesëmarrësit e ANV-së, në ditët në vijim.

 

Punëtoria mbi temën “Gaming”, është e para që po mbahet nga kompania “Zombie Soap”, gjatë së cilës, studentët e ndarë në disa grupe, do të punojnë për disa ditë në krijimin e një koncepti mbi lojërat që do të zhvillojnë, ku më pas do ta krijojnë atë, do ta përgatisin prototipin dhe do ta bëjnë testimin, kurse produktet përfundimtare do të shfaqet në ditën e fundit të ANV-së.

 

Në pjesën e dytë të ligjëratave në SHKI, profesori Philip Polstra vijoi me ciklin e ligjëratave tematike, me ç’rast trejtoi temën: “Digital Forensics with Open Source Tools-Linux”.

Aktiviteti i SHKI-së në ANV do të vazhdojë deri më 19 korrik.

Lajme