Në ANV-në e Medias dhe Komunikimit ligjërohet mbi etikën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut

Në ANV-në e Medias dhe Komunikimit ligjërohet mbi etikën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut

Në ditën e tretë të ANV-së, Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT, për studentët pjesëmarrës ka prezantuar temat në të cilat u shtjellua çështja e etikës në gazetari, e pasuar nga raste konkrete, që kanë të bëjnë me shkeljet e të drejtave të njeriut nëpër vende dhe periudha të ndryshme kohore.

 

Gjatë këtij cikli ligjëratash, ligjëroi gazetari dhe ligjëruesi në UBT, Musa Sabedini, i cili trajtoi temën: “Mediat sociale dhe platformat e tyre”.

Duke folur rreth funksionimit të mediave sociale, Sabedini tha se këto media aktualisht po përdoren si burim informacioni. Sipas tij, rritja e qasjes së mediave sociale është e shoqëruar me një përdorim gjithnjë e më të madh të tyre nga aktorët e ndryshëm të shoqërisë, përfshirë këtu edhe ata të politikës, biznesit, marketingut dhe medias.

 

Tutje, ai theksoi se rrjetet sociale kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre dhe si të tilla, konsiderohen se ndikojnë në jetën e përditshme ngaqë, sipas tij,  respektimi i etikës në këto media është çështje që duhet diskutuar.

 

Në ligjëratën e saj për studentët pjesëmarrës, profesoresha e Corvinus University, në Hungari, dr. Elisabeth Kardos Kaponyi  trajtoi  temën më titull: ”Raste konkrete të shkeljes së të drejtave të njeriut”, gjatë së cilës fillimisht shpalosi informacione rreth klasifikimit të drejtave të njeriut ku përfshihen, e drejta e grave, e drejta e fëmijëve, e drejta e njerëzve të moshuar e refugjatëve, si dhe ndër to, theksoi të drejtën e lirisë së shprehjes, e cila është e garantuar për secilin individ.

 

Kaponyi, ndër tjerash prezantoi edhe pasojat që janë shfaqur për shkak të kufizimit dhe mosrespektimit të drejtave të njeriut dhe të lirisë së shprehjes nëpër vende të ndryshme të botës, duke u fokusuar në rastin e shkeljes së të drejtave të punëtorëve në Kinë, si dhe ato të qytetarëve sirianë gjatë luftës së fundit, që po zhvillohet në Siri.

 

Akademia në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit do të vazhdojë nesër, me ç’rast do të ligjërojë profesori i historisë në Universitetin Kentucky të SHBA-së, njëherësh edhe profesor vizitor në UBT, David Olster.

Lajme