Fakulteti i Shkencave Politike fillon ANV-në, ligjërojnë gjeneralët e NATO-s

Fakulteti i Shkencave Politike fillon ANV-në, ligjërojnë gjeneralët e NATO-s

Fakulteti i Shkencave Politike në UBT, zyrtarisht ka filluar Akademinë Ndërkombëtare Verore, e cila sivjet do të trajtojë çështjet e sigurisë globale dhe intervenimet në vendet që janë përballur dhe po përballen me kriza në aspektin e sigurisë.

 

Me këtë rast, UBT ka mbledhur figura vendore e ndërkombëtare, ushtarakë, politikanë dhe njohës të çështjeve të sigurisë, të cilët në ditën e parë të kësaj akademie trajtuan temën më titull: “Ndikimi ndërkombëtar në zonat e krizës: Zgjidhja e konflikteve”, e trajtuar nga përfaqësuesit e Kolegjit të Mbrojtjes i NATO-s dhe nga njohës tjerë të çështjes së sigurisë nga Kosova dhe më gjerë.

 

Në hapje të këtij aktiviteti, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se hapja e kësaj akademie është një veprim i rëndësishëm për rritjen e njohurive të studentëve dhe për njohjen me situatat reale të sigurisë.

“Është privilegji ynë që t’i mbledhim në UBT gjeneralët më të mirë, të cilët po i paraqesin përvojat e tyre për studentët, duke i shtuar kështu kompetencat dhe njohuritë e tyre rreth menaxhimit të krizave”, theksoi Hajrizi, i cili, me këtë rast, e shpalli edhe zyrtarisht të hapur Akademinë Ndërkombëtare Verore të UBT-së, që këtë vit po organizohet për herë të gjashtë.

 

Ish-drejtuesi i Fakultetit të Lindjes së Mesme të Kolegjit të Mbrojtjes i NATO-s, njëherësh edhe anëtar i Institutit për Siguri Botërore dhe Çështje Ndërkombëtare, Giuseppe Morabito, duke i përmendur konfliktet aktuale ndërmjet shteteve të ndryshme të botës, vlerësoi se NATO është aleanca e vetme botërore që i bashkon të gjitha shtetet për interesat e tyre të përbashkëta.


“NATO është organizata që i bën bashkë të gjitha grupet e shteteve që dallohen për nga kombësia, feja etj., dhe ato të cilat janë në armiqësi me njëra-tjetrën”, potencoi Marobito.

 

Këshilltarja e hulumtimeve në Fakultetin e Lindjes së Mesme, në kuadër të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s, dr Chloe Berger prezantoi para studentëve historikun e zhvillimit, rolin, ndikimin dhe mënyrën e funksionimit të NATO-s, teksa tregoi edhe kompaktësinë me të cilën veprojnë shtetet anëtare të kësaj aleance.


“NATO u jep mundësi anëtarëve të japin opinione dhe mbi të gjitha, të veprojnë të bashkuar. Nëse njëri shtet sulmohet apo rrezikohet, është njësoj sikur të sulmoheshin të gjitha shtetet anëtare”, pohoi ajo, teksa shtoi se NATO po rritet gradualisht, duke pranuar së fundmi në gjirin e saj edhe Malin e Zi.


“Aleanca e NATO-s nuk ka kufij gjeografik. Secili shtet që i plotëson kushtet, mund të anëtarësohet dhe të mbrojë shtetet dhe njerëzit që kanë nevojë”.

 

Presidenti i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, Arian Starova vlerësoi se NATO është aleanca më e suksesshme në histori , prandaj sipas tij, interesimi për NATO-n është rritur vazhdimisht.


“NATO është burim i stabilitetit në botë sepse partnerët e saj janë globalë, kjo sepse, asnjë shtet nuk mund të zhvillojë jetë normale pa qenë të sigurt më parë”, konstatoi Starova, teksa përmendi edhe rrugën e gjatë e të vështirë nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria, deri në pranimin përfundimtar në këtë organizatë.


“Shqipëria ka kaluar nëpër një rrugë të vështirë deri në pranimin e saj në NATO, pasi që, nuk ka qenë e përgatitur paraprakisht. Shqipëria është mësuar duke marrë pjesë në aksione të ndryshme, është mësuar duke praktikuar”.


Aktiviteti i Fakultetit të Shkencave Politike në kuadër të ANV-së do të zgjas tri ditë, përgjatë të cilave do të ligjërojnë gjeneralët e NATO-s dhe njohësit e çështjeve të sigurisë dhe të menaxhimit të krizave.

Lajme